Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka theksuar se gjatë ditëve të fundit ka pasur shumë deklarata spekulative, veçanërisht nga ana e liderëve serbë.
Ai, në emisionin “Info Box” të RTV Dukagjinit, ka thënë se qytetarët serb lëvizin lirshëm dhe se askush nuk i pengon dhe i sulmon ata.
“Unë mendoj se serbët do të pajtohen se muri do të largohet”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi. “Kjo gjë është dashtë të zgjidhet në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës dhe në nivel të zyrtarëve të zakonshëm. Jemi të vetëdijshëm që provokimet nuk do të përfundojnë këtu. Nuk i duartrokitet Kosovës në Beograd në arritjet e saja. Duhet të mësohemi që në ato provokime të përgjigjemi me kapacitete të nevojshme”, ka shtuar Ferati. /Telegrafi/