Telegrafi

Feniksi fiton Kupën e Kosovës në futsall, mposht Besën në finale

Feniksi nga Drenasi ka fituar Kupën e Kosovës në futsall pasi ka mposhtur në finale Besën e Pejës me rezultat të thellë 6-0.

Skuadra e Feniksit nga qyteti i Drenasit është fituese e Kupës së Kosovës në futsall.

Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në praninë e një numri të madh të shikuesve, skuadra nga Drenasi u tregua më e mirë se skuadra e Besës nga Peja, duke e mposhtur me rezultat bindës 6-0.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë, duke u mbyllur me epërsinë e një goli për drenicasit, të cilën e shënoi Shqipron Brahimi në minutën e 11-të të takimit.

Rivaliteti i madh mes dy skuadrave vazhdoi edhe në pjesën e dytë deri në minutën e 30-të, kur Mentor Mejzini shtoi epërsinë në 2-0, kurse pas minutës së 35-të gjithçka kaloi në shenjë të drenicasve, të cilët realizuan edhe katër gola.

Golat tjerë u shënuan nga Dardan Topilla (35′), Ferid Agushit (36′, 39′) dhe Dragan Petrovic (39′), duke vulosur fitoren e Feniksit me rezultat të thellë 6-0.

Në fund, medaljet për futbollistët e Besës i ndanë Agim Avdyli, Sahit Kelmendi e Skender Sadiku, derisa medaljet për skuadrën fituese i ndanë anëtarja e KE të FFK-së, Vjollcë Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe kryetari i Komisionit të futsallit, Rasim Gimolli.

Ndërkohë, kupën kapitenit të Feniksit, Mentor Mejzini ia dorëzoi nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi. Me medalje u stolisën edhe vëzhguesi dhe gjyqtarët e ndeshjes, të cilat i ndau kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani. /Telegrafi/