Femrat përveç se dominojnë prej vitesh numrin e të diplomuarve në nivelin e parë dhe të dytë të studimeve të larta, kanë filluar të jenë në epërsi numerike edhe në studimet e shkallës së tretë, respektivisht doktoraturës, shkruan gazeta Koha. Të paktën, kështu tregojnë të dhënat zyrtare për numrin e të diplomuarve në të gjitha nivelet e arsimit të lartë për viti 2016.
Këtë vit, pati vërtetë rënie në numrin e përgjithshëm të doktoratuarve, magjistraturave dhe të diplomuarve, mirëpo përfaqësimi i femrave brenda numrave të secilës kategori, është dukshëm më i lartë se ai i meshkujve. Bie në sy, sidomos raporti gjinor në nivelin e studimeve të doktoraturës.
Nga 197 doktorantë të cilët kanë mbrojtur me sukses disertacionet e tyre vitin e kaluar, 111 ishin femra dhe 86 meshkuj. Shkaqet për dominimin e gjinisë femërore dhe në listat e doktorantëve, janë sigurisht të ndryshme, por që kryesisht lidhen me prirjen pozitive të femrave për karrierë akademike. Në të kaluarën, femrat e dominonin listën e të diplomuarve nëpër fakultete, kishin në përqindje më të lartë përfundimin e studimeve në kohë, por ambiciet e tyre ndërpriteshin kryesisht pasi përfundonin studimet e magjistraturës. Tani duket se gjërat kanë ndryshuar.
Gratë e synojnë karrierën akademike edhe atë në bazë të numrit të doktoraturave më tepër se sa meshkujt, edhe atë në raportin 56.3 për qind femra dhe 43.7 për qind meshkuj. Në këtë shkallë të studimeve, në rrafshin e përgjithshëm, 64 persona ose 32.5 për qind e atyre që kanë doktoruar punojnë në institucione arsimore. Më së shumti doktoratura janë mbrojtur në lëmin e shkencave shoqërore (72) shkencave mjekësore (38), shkencave humanitare (36), shkencave teknike-teknologjike (26), shkencave matematiko natyrore (13) dhe shkencave bioteknike (12).
Ndërkaq, sa u takon studimeve të magjistraturës, numrat janë përsëri në anën e femrave. Nga 1881 magjistratura të këtij viti, 1107 ose 58.9 për qind janë mbrojtur nga femrat. Edhe këtu dominojnë shkencat shoqërore (1198), ku me 744 teza magjistrature të mbrojtura në fushën e shkencave shoqërore gjinia femërore vazhdon të jetë në epërsi.
Numri më i madh i të gjitha llojeve të magjistraturave janë mbrojtur në Universitetin “Kirili dhe Metodi” të Shkupit (847), pastaj në Universitetin “Klimenti i Ohrit” në Manastir (179), në Universitetin e Tetovës (116), në Universitetin e Evropës Juglindore (96), në FON (86), në Universitetin “Goce Dellcev” të Shtipit (72) e kështu me radhë. UGD-ja është i vetmi institucion publik i arsimit të lartë në Maqedoni, ku gjatë 2016-ës kanë magjistruar më tepër meshkuj se sa femra.