Femrat e klubit të basketbollit të Bashkimit janë shpallur kampion të Kosovës.
Prizrenasit kanë triumfuar si mysafirë në palestrën “Karagaçi” kundër skuadrës së Penzës me rezultat të thellë, 77-50.
“Arpagjikt” kanë përmbyllur me sukses serinë finale të ‘play-off’, duke fituar tre ndeshje që ishin të nevojshme për të arritur te titulli i kampionit.
Portokallezinjtë gjatë gjithë ndeshjes dominuan dhe për asnjë moment nuk lejuan të kontestohet fitorja e tyre e tretë rresht.
Çereku i parë tregoi fuqinë reale të skuadrës së Bashkimit, kur arritën epërsinë prej njëzet pikëve, 30:10.
Periudha e dytë ishte më e dobët pasi që të dyja skuadrat së bashku arritën të shënonin 19 pikë, përkatësisht 11 mysafirët kundrejt tetë të vendasve.
Edhe në pjesën e dytë të besuarat e trajnerit Ilmen Bajra treguan vendosmëri dhe se titullin e kampionit do ta sjellin në Prizren.
Çereku i tretë sërish i takoi vashave prizrenase, të cilat ngritën epërsinë në 32 pikë, përkatësisht rezultati në semafor tregonte shifrat, 63:31.
Dhjetë minutshi i fundit ishte pothuajse sa për statistika pasi që tashmë pejanet ishin dorëzuar dhe ndeshja përfundoi në dobi të Arpagjik’ve me rezultat 77-50.
Basketbollistja më efikas te vendaset ishte Jeta Zeka që shënoi 22 pikë ndërsa te mysafiret shkëlqeu amerikania, Khadija Brown, e cila realizoi “double-double” 29 pikë dhe 19 kërcimesh.
Bashkimi në këtë formë arrin tek titulli i kampionit pas shtatë vjetëve, të cilin vitin e kaluar e fitoi Penza. /Telegrafi/