Koha është që ajo jetën ta ndryshoi, por jo edhe brendësinë e mentalitetit. Duke u bazuar nga jeta e paraardhësve tanë… femra, po femra, një qenie e butë njerëzore, e pafajshme, e ndjeshme – ku me krijimin dhe lindjen e saj engjëllore qante tërë mëhalla – e krijuar enkas për punë shtëpie, e pashkolluar, e blerë me para për ceremoni dasmore, robëreshë e një personi që kurrë nuk e kishte imagjinuar… Tradita është ajo që ti nuk mund as ta shprehësh një mendim, pëlqimi apo refuzimi, dhe as ta shohësh atë person deri ne ditën e martesës. Në fund të fundit ishte shitur nga prindërit e saj, e blerë nga i shoqi (fati i jetës)… Krijohet familje… Nënë punëtore, e përkushtuar në maksimum në jetën bashkëshortore, në rritjen e fëmijëve, në bagëti e bujqësi, por asnjëherë me pamundësinë të shfaqë pakënaqësitë apo ankesat e saj, të ndrojtura edhe nga vet hija, një traditë brez pas brezi.
Papunësi, varfëri, familje e madhe… Burri detyrohet të braktis familjen, vendin, e të mërgojë jashtë për t’i siguruar një jete më të mirë familjes. Gruaja e sakrifikon jetën, qëndron si heroinë në shtëpi, për rritje, kujdes, përkushtim familjes. Kalojnë vitet, fëmijët rriten, gruaja në pritje te bashkëshortit, por ai nuk kthehet dot: ka gjetur grua tjetër, të nacionalitetit tjetër. Ajo mbete e ve, e tradhtuar, e poshtëruar, pa mbrojtje… por, dashuria e saj prej nene, për fëmijët, gjakun, e bëri të fortë deri në ditën kur Zoti e mori.
Sikur koha ndryshoi. Kinse na u ofrua një mundësi shkollimi, një përkushtim i veçantë e i etur për mposhtje analfabetizmi, për ngritje morali e vetëbesimi. E, po shfaqej lufta e cila theu, helmoi çdo zemër prej gjysheje, nëne, motre e gruaje. Të dhunuara, të masakruara, të vrara akoma të virgjëra, të pambrojtura nga as njeri i vetëm, madje te tallura, të njollosura, të boshatisura tash e sa vite.
Çfarë ndodhi me na? A thua ata lotë trishtimi me lindjen tonë na mallkuan, apo vallë nuk na pranon dot as toka?!