Motrat e vëllezërit janë ditë e natë së bashku dhe natyrisht në lojë e sipër nganjëherë edhe ngucen e zihen, por në disa familje gjendet ndonjë vëlla a motër e vogël që ankohet e i fajësojnë shpesh vëllezërit a motrat. P.sh. kur prindërit nuk janë në shtëpi gjatë ditës e kthehen pas pune, paditësi i vogël, fjala e parë që u thotë prindërve, është ankimi për vëllanë a motrën e vet kinse e kanë rrahur, ose u kallëzon menjëherë prindërve se e motra e ka thyer gotën, ose ka ngrënë nga ëmbëlsirat që ka pasë përgatitur e ëma për mysafirët që do t’i vijnë për vizitë, ose p.sh. e motra i ka folur këtë ose atë fjalë të pahijshme, ose ka bërë pa leje këtë ose atë punë, etj.
Ka edhe raste kur paditësi i vogël, poqese mundet në lojë nga e motra ose i vëllai, hidhërohet, i vjen zor për këtë dhe pa një pa dy ia plas vajit dhe ashtu me lot në sy shkon e u ankohet prindërve (më tepër nënës) kinse ata ia kanë bërë me hile në lojë, ose trillon e shpif diçka dhe e padit vëllanë ose motrën për kot gjë a për ndonjë gabim a faj të vogël e pa rëndësi që ata mund të kenë bërë në mungesë të prindërve. Fëmijës së tillë i është bërë pothuajse ves që të ankohet e të padisë gjithnjë të motrën a të vëllanë, duke kërkuar prej prindërve që të hakmerren.
Një qaraman i tillë në të njëjtën mënyrë vepron edhe jashtë familjes, me fëmijët e rrugës, lagjes a banesës me të cilët ai takohet e shoqërohet përherë në lojë. Atij i vjen rëndë dhe inat kur shokët e mundin në lojë, dhe prej zilisë, mbasi s’ka ç’t’iu bëjë tjetër, vjen e u ankohet prindërve të vet, duke i paditur shokët kinse ata e kanë përqeshur a tallur e sharë, ose ia kanë sharë prindërit.
Aq më keq është edhe kur prindërit e tij, sidomos nënat, i marrin kallëp si të vërteta ankesat e paditë e pavend të fëmijës së tyre, u besojnë thënieve të tij pa i vërtetuar mirë. Madje qëllon nganjëherë që ndonjë prind gjaknxehtë, kur e sheh fëmijën e vet duke qarë, ashtu i zemëruar, ngutet dhe i mëshon fëmijës së huaj pa e hetuar e vërtetuar mirë si qëndron e vërteta dhe pa marrë parasysh se fundi i fundit ata janë fëmijë dhe aty për aty ngucen e hidhërohen me njëri-tjetrin dhe aty për aty prapë rregullohen e pajtohen, si të mos kish ndodhur kurrgjë e keqe ndërmjet tyre. Madje ka edhe raste më drastike kur prindërit e të dy palëve, me të cilët më parë kanë pasur marrëdhënie shumë të mira, për arsye të grindjes së fëmijëve, prishen keq ndër veti dhe qëllon të mos flasin me njëri-tjetrin me javë e me muaj, por edhe me vite.
Prandaj prindërit gabojnë shumë kur përzihen në grindjet e fëmijëve, duke i dalë zot të vetit, e duke e qortuar a rrahur fëmijën e huaj, i cili shpesh është edhe fare i pafajshëm. Faji kryesor për këtë bie në rend të parë mbi prindërit e fëmijës qaraman, mbasi ata nuk e njohin mirë fëmijën e vet, ose e kanë atë për hasret, e përkëdhelin së tepërmi, e ruajnë, i dalin Zotit dhe e favorizojnë përtej masës, në vend që ta mësojnë të sillet njerëzisht si me motrat e vëllezërit ashtu edhe me shoqet e shokët jashtë shtëpisë, të mos i fyejë, t’i zgjidhë vetë mosmarrëveshjet që mund të ketë me ta dhe të mos kërkojë të jetë gjithmonë i privilegjuar në lojë prej të tjerëve. Kështu prindi (më tepër nëna), duke mos e njohur mirë qaramanin e vet, i cili orë e çast ankohet e i fajësojnë të tjerët për çdo gjë, e duke mos marrë me kohë masa për pengimin e luftimin e atij vesi, lejojnë që ai fëmijë të shkojë rrugës së gabueshme e të edukohet keq.
Fëmijëve të tillë, të cilët përherë janë mësuar dhe u është bërë shprehi e keqe të ankohen e të fajësojnë vëllezërit, motrat ose shokët e shoqet e tyre dhe gjithmonë përpiqen që me lot në sy të gjejnë me zor gabime e faje te të tjerët, dita-ditës vijnë duke iu shtuar veset e duke u bërë kështu edhe më gënjeshtarë, më kryeneçë, më tekanjozë. Të gjitha këto ndikojnë edhe në formimin e karakterit, të mospavarësisë e të paaftësisë për orientim të fëmijës së tillë në shoqëri në jetën e ardhshme.
Madje është rrezik se, nëse prindërit nuk marrin masa me kohë për t’ia luftuar fëmijës këtë ves të fajësisë së të tjerëve vend e pa vend, më vonë, kur të rritet, kjo mund t’i kthehet në shpifje, ves ky që është cilësi e njerëzve me karakter të dobët. /Telegrafi/