Site icon Telegrafi

Fëmijët nga komuniteti RAE në vështirësi për të ndjekur mësimin nga distanca

Mësimi në distancë për shkak të pandemi ka paraqitur një tjetër sfidë për nxënësit e komunitetit RAE. Mungesa e pajisjeve teknologjike ka ndikuar që shumë nga këta nxënës të mos mund të ndjekin mësimet online.

Nxënësit e Kosovës janë në ditët e fundit të mësimit nga distanca që u zhvillua si pasojë e coronavirusit.

Por jo të gjithë këta nxënës patën mundësi të ndjekin këto mësime.

Shumë nxënës të komunitetit RAE për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike e kanë pasur të pa munduar ta ndjekin mësimin nga distanca të organizuar nga Ministria e Arsimit.

Koordinatori i Edukimit në organizatën “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasëve”, Orhan Butiç tha për RTV Dukagjinin se edhe pse komunat kanë ofruar pajisje për këto komunitete ato nuk janë të mjaftueshme.

“Këta nxënës janë ballafaquar me mungesë të pajisjeve teknologjike të mjaftueshme për të ndjekur mësimin nga distanca dhe t’i kryejnë detyrat specifike që u ka dhënë shkolla”, deklaroi Orhan Butiç.

Ndërsa njohësi i çështjeve të arsimit Rinor Çehaja thotë se edhe këtë herë institucionet kanë treguar neglizhencën ndaj grupeve të margjinalizuara shoqërore.

“Mësimi nga distanca në përgjithësi ka anashkaluar shumë grupe të margjinalizuara e sidomos atë të komunitetit RAE në veçanti. Kjo është përgjegjësi i Ministrisë së Arsimit”, deklaroi Rinor Qehaja.

Prapa kamerës pjesëtarët e komunitetit RAE thonë se për shkak të vështirësive financiare e kanë pasur të pamundur t’iu mundësojnë fëmijëve të tyre ndjekjen e mësimit online./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version