Site icon Telegrafi

Fëmijët me nevoja të veçanta në Maqedoni pa kujdes adekuat

Në shkollat fillore në vend tashmë mësojnë edhe nxënës me nevoja të veçanta, por në asnjë prej tyre nuk ka mësues ndihmës që të njohin problemet dhe nevojat e tyre. Detyra e këtyre të fundit u bie barrë mësimdhënësve të ciklit të ulët dhe të lartë fillorë, të cilët me vështirësi arrijnë të përmbushin nevojat e nxënësve me aftësi të kufizuara. Ata thonë se përkushtimi i duhur do të ishte i mundur vetëm nëse klasat do të ishin me numër më të ulët e jo siç janë për momentin me rreth 30 nxënës.

“Kemi probleme në aktivitetet të cilat i kryejnë me motorikën e tyre, në shkruarjen, me lëvizjen nëpër klasë, por kemi nxënës që janë me aftësi të veçanta por kanë probleme kurnitive, e tani aty veç kemi kyqjen e një defektologut, të një psikologu i cili është marrë me këto fëmijë, edhe merret permanent, e din problematikën e tyre edhe e din se si mund ta ndihmojë. Ne kemi kry arsimim adekuat mirëpo nuk mund të themi se jemi defektologë, se jemi sociologë, ne jemi mësimdhënës, kështu që duhet të ketë një ekip e cila do të merret me këto nxënës në bashkëpunim me ne. Sa është në rregull kjo që e them nuk e di por unë mendoj se ato nxënës duhet ta kenë vendin nëpër klasë speciale”, u shpreh Turqane Grazhdani, sh.f “25 Maji”.

Përveç mungesës së mësuesve ndihmës, shumë shkolla fillore në vend kanë mungesë të infrastrukturës dhe interierit të duhur për nxënësit me nevoja të veçanta. Nga shoqata “Dua Ylberin” kanë vërejtje të shumta rreth përfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollat normale duke nënvizuar se dëshira nga realiteti janë shumë larg njëra tjetrës.

Nga Ministria e Arsimit bënë të ditur se kanë paralajmëruar të gjitha shkollat fillore të vendit të përpilojnë listën e numrit të nxënësve me nevoja të veçanta me qëllim të punësimit të mësuesve ndihmës nga viti i ardhshëm shkollor 2018-2019. Në Maqedoni akoma nuk kanë nisur trajnimet për mësues-shoqërues për fëmijët me nevoja te veçanta, ndërkohë që Shqipëria dhe Kosova tashmë dy vjet kanë nisur me përgatitjen e kuadrove të tillë./Alsat/

Exit mobile version