Hulumtuesit në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit Stanford rekrutuan 76 fëmijë, të moshës 7 deri në 9 vjeç, një periudhë kjo kur tiparet dhe simptomat e anksiozitetit mund të identifikohen për herë të parë në mënyrë të besueshme.
Prindërit e fëmijëve i vijuan vlerësimet e dizajnuara për t’i matur nivelet e anksiozitetit tek fëmijët, dhe fëmijët më pas iu nënshtruan skanimeve joinvazive të rezonancës magnetike (MRI) të strukturës dhe funksionit të trurit.
Studiuesit zbuluan se fëmijët me nivel të lartë të anksiozitetit kishin vëllim të zgjeruar të amigdalës dhe lidhshmëri të rritur me rajone të tjera të trurit, përgjegjëse për vëmendjen, perceptimin dhe rregullimin e emocioneve, në krahasim me fëmijët me nivel të ulët të anksiozitetit.
Ata gjithashtu e zhvilluan një ekuacion i cili e parashikoi në mënyrë të besueshme nivelin e anksiozitetit tek fëmijët nga matjet e MRI të vëllimit të amigdalës dhe lidhshmërinë funksionale të amigdalës.
Rajoni më i prekur ishte pjesa bazolaterale e amigdalës, një nënregjion i amigdalës i implikuar në të mësuarit e frikës dhe procesimin e informacionit të lidhur me emocionet.
Dr. John Krystal, redaktor i “Biological Psychiatry”, komentoi, “Është e rëndësishme që të kalojmë nga këto vëzhgimet interesante ndër-sektoriale në studime longitudinale, ashtu që të mund ta veçojmë masën në të cilën amigdalat më të mëdha dhe më mirë të lidhura janë faktorë apo pasoja të rrezikut lidhur me anksiozitetin e rritur në fëmijëri”.
“Megjithatë, studimi ynë paraqet një hap të rëndësishëm në karakterizimin e sistemeve të ndryshuara të trurit dhe zhvillimin e biomarkerëve parashikues në identifikimin e fëmijëve të vegjël që janë në rrezik për çrregullime të anksiozitetit,” shtoi Qin.
“Të kuptuarit e ndikimit të anksiozitetit në fëmijëri në qarqe specifike të amigdalës, siç është identifikuar në studimin tonë, do të ofrojë njohuri të reja të rëndësishme në origjinën neurozhvillimore të anksiozitetit tek njerëzit.” /Telegrafi/