Kartolina, biskota, dekorativë të ndryshëm janë punuar nga një numër i madh i fëmijëve.
Ato janë bërë me qëllim për të ndihmuar familjet në nevojë.
Fondet e mbledhura nga shitjet e tyre do të dedikohen për programet e organizatës humanitare “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, i cili ka për mision uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjeve në Kosovë.
Janinë Mehmeti , nga organizata “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” ka thënë se çdo gjë e vogël, ndihmon shumë.
“Disa prej programeve tona, përfshijnë edhe “pap testet” në komunat e Prishtinës dhe Prizrenit. Ideja jonë është të zgjerohemi edhe në komunat tjera. Edhe klinikat e neonatologjisë, pediatrisë dhe gjinekologjisë do të jenë përfituese nga këto fonde, ku do të bëhet furnizimi me disa medikamente dhe materiale të nevojshme”, deklaroi Janinë Mehmeti.
Festën e fund vitit nuk kishin se si ta festonin ndryshe.
Fëmijët e kopshtit “Let Center” janë veshur me ngjyrat e festave, të cilat japin një ngrohtësi në këtë sallë.
Drejtoresha e qendrës, Lida Hoxha ka thënë se në fund të programit, i jepet mundësia të gjithë prindërve të blejnë ndonjë dhuratë.
““Let Center” është një kopsht i fëmijëve, ku ata kanë qëndrim ditor nga mosha 0 deri 11 vjeç. Për çdo festë kopshti ynë organizon programe të ndryshme që zakonisht i mbajmë në sallën e kuqe. Por kësaj here kemi mëndu me mbajt diçka më ndryshe. Ideja ka qenë që fëmijët me festu por edhe me dhuru diçka për bamirësi…Në fund të programit prindërit kanë mundësi të blejnë këto dhurata, ku donacionet do të shkojnë për fondacionin “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë””, deklaroi Lida Hoxha./RTV Dukagjini/Telegrafi/