Nga: Paddy Dowling / Independent
Përthyer nga: Telegrafi.com
Teksa rri si siluetë, Baraka 13vjeçare na shpjegon se si gjatë luftës së tretë të Gazës, në vitin 2014, rrinte ulur në prehrin e gjyshes së saj, ndërsa familja e përgatiste darkën e mbrëmjes. Më shumë se 30 anëtarë të familjes së saj të gjerë, që kërkonin strehim, u grumbulluan në shtëpinë e një të afërmi në Xhebalia të Gazës veriore, kur artileria e rëndë e tankeve goditi pronën – pesë herë rresht.
Teksa Baraka i kujton guximshëm ngjarjet e asaj dite tragjike, në fund i dorëzohet buzës që dridhet, për të cilën ka luftuar shumë për ta kontrolluar. E pushtuar nga pikëllimi, Baraka kap fytyrën me pëllëmbët e duarve. Në moshën gjashtëvjeçare ishte dëshmitare e vdekjes së babait, motrës, gjyshes, katër xhaxhallarëve dhe dy kushërinjve. Trupat e dy xhaxhallarëve të saj nuk u gjetën kurrë në mbeturinat e banesës trekatëshe.
Tetë vjet më vonë, edhe pasi kanë marrë ndihmë nga psikologët, shumë fëmijë si Baraka luftojnë për ta kontrolluar traumën e luftës 51 ditore në Rripin e rrethuar të Gazës.
Para luftës së katërt të Gazës, në majin e vitit të kaluar, UNICEF-i raportoi se një në tre fëmijë në Gazë ka kërkuar ndihmë për traumat e luftës. Por, nevoja për shëndet mendor dhe mbështetje psikologjike për fëmijët, veçse është shtuar.
Fëmijët e Gazës, shumë prej të cilëve kanë qenë dëshmitarë të keqes së katër konfliktet që zgjatën nga viti 2008 e deri në 2021, kanë frikë për jetën, për humbjen e anëtarëve të familjes dhe për lëndime fizike. Kjo e shton rrezikun për çrregullime mendore.
Aftësia për të marrë veten dhe për të hequr pluhurin e çdo lufte nuk është luks – është parakusht për të jetuar në Gazë. Ndaj, nuk është çudi që banorët e Gazës kanë fituar reputacionin e qëndrueshmërisë. Por, a është kjo qëndrueshmëri? Dhe, nëse është, a është kjo arsyeja për të mos pranuar se janë një nga demografitë më të traumatizuara të njerëzve në botë?
Qëndrueshmëria, në kontekstin e Gazës, është aftësia e një fëmije për ta marrë veten pas një ngjarjeje traumatike. Megjithatë, disa ngjarje janë aq të rënda saqë mund të mposhtin aftësinë e fëmijës për ta marrë veten.
Në shumicën e vendeve normale, me mbështetjen e duhur, fëmijët që janë të cenueshëm ndaj shkallëve të larta të shqetësimit mendor, përfshirë çrregullimin e stresit post-traumatik, kanë shanse të mira për të rindërtuar jetën e tyre, për të përmirësuar shëndetin e tyre mendor, mirëqenien emocionale dhe për ta arritur qëndrueshmërinë.
Megjithatë, jeta në Gazë është gjithçka tjetër veçse normale. Banorët jetojnë sot për nesër, duke e kaluar një konflikt e duke pritur tjetrin.
Papunësia aktualisht është rreth 50 për qind dhe shkalla e atyre që mbijetojnë nën kufirin e varfërisë ekstreme (me 1.2 euro në ditë) është në 64 për qind. Për më tepër, sfidat e mëdha ndaj kushteve të përditshme të jetesës, të cilat përfshijnë energjinë e kufizuar, ujin e papijshëm dhe një sërë kufizimesh të vendosura në importe, përfshirë furnizimet mjekësore, i ngarkojnë prindërit dhe parandalojnë çdo shans për një rikuperim të qëndrueshëm të fëmijëve.
Wajd-i është program i kujdesit të qëndrueshëm për jetimët, i financuar nga Fondi i Katarit për Zhvillim si reagim ndaj shkatërrimeve në luftën e Gazës të vitin 2014.
“Kur Baraka u regjistrua në program, vuajti nga traumat akute psikologjike. Ishte introverte, nuk ndërvepronte me të tjerët dhe i shmangej shkollës”, thotë Maha Muhaisen. “Më shumë se 2 165 nga jetimët ose ata pa baba që janë regjistruar në program, kanë qenë në seanca të shumta individuale dhe grupore të mbështetjes psikosociale”.
“Roli i prindërve është primar në zhvillimin e fëmijëve. Nëse prindërit janë nën stres, nëse kanë përjetuar trauma, kjo ndikon te fëmijët”, shton Muhaisen.
Kur konflikti përfundon në Gazë, kjo nuk do të thotë se fëmijët janë të sigurt. Do të thotë se nisi gara për t’i përgatitur për tronditjen e radhës dhe përshkallëzimin tjetër.
“Këta fëmijë, si Baraka, që jetojnë me margjina, që janë të shoqëruara nga efektet akumuluese të konflikteve të shumta, kanë nevojë që ne të gjithë të jemi të palëkundur”, thotë Khalifa bin Jassem Al-Kuwari.
Baraka dhe shumë fëmijë të tjerë jetimë të Gazës kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të shëndetit mendor dhe mirëqenies, por kjo është punë në progres.
Fëmijët që jetojnë në Gazë përballen me barriera të cilat nuk mund t’i kapërcejnë. Janë të burgosur nga “muri i hekurt” 65 kilometërsh dhe janë të padukshëm për botën. Nuk është çështja nëse, por kur ata do ta përballin luftën e pestë. Si dhe më parë, do ta paguajnë çmimin më të lartë dhe përparimi i bërë nga programet e tilla si Wajd do të bie poshtë. Por, ka shpresë nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron të gjejë zgjidhje të përhershme drejt paqes. /Telegrafi/