Me përfundimin e Luftës Koreane në vitin 1953, rreth 50 mijë të burgosur mbetën në Korenë e Veriut. Shumë prej tyre ishin të detyruar të kryenin punë kundër vullnetit të tyre, ndërkaq disa prej tyre u vranë. Tani fëmijët e tyre po luftojnë për njohje nga shteti i Koresë së Jugut, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Pavarësisht se sa shumë përpiqet, Lee, ende tenton të kujtojë atë që i ndodhi tre dekada më parë, kur iu qëllua babai dhe vëllai i saj nga ekzekutuesit.
Asaj i kujtohet vetëm pak para momentit tragjik, kur oficerët e sigurimit e kishin tërhequr zvarrë drejt një stadiumi në një fshat të largët në Korenë e Veriut, të quajtur Aoji. Lee nuk e dinte se çfarë do të ndodhte.
Turma u shumëfishua, ndërkaq një kamion zbarkoi në vend. Në atë automjet kishin qenë babai dhe vëllai i saj, të cilët dolën që aty.
“I kishin lidhur prej një copëz druri, duke i fyer e duke i quajtur tradhtarë e spiunë të kombit”, tha Lee për BBC, duke potencuar se kujtesa dhe ngjarja po iu avullohej para syve.
“Mendoj se isha duke bërtitur. Kisha probleme me nofullën, dhe më kujtohet se një fqinj më dërgoi në shtëpi për të mjekuar atë”, u shpreh ajo.
Të burgosurit e harruar
Babai i Lee, ishte një prej 50 mijë të burgosurve që kishin mbetur në Korenë e Veriut në fund të luftës, mes dy vendeve. Ish të burgosurit i kishin regjistruar kundër vullnetit të tyre, në njësitë e ushtrisë së Veriut, dhe ishin detyruar mandej të punojnë në projekte rindërtimi ose edhe në miniera deri në fund të jetës së tyre.
Me nënshkrimin e armëpushimit, më 27 korrik të vitit 1953, ushtarët e Koresë së Veriut, kishin potencuar se së shpejti do të bëhej një shkëmbim i të burgosurve dhe që të njëjtit do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Mirëpo, një muaj para armëpushimit, presidenti i Koresë së Jugut, Syngman Rhe, liroi më shumë se 25 mijë të burgosur të Veriut, në mënyrë që të sabotonin armëpushimin. Ai donte që forcat e Kombeve të Bashkuara, të ndihmojnë në ribashkimin e vendit. Shumë besojnë se ky vendim e vështirësoi riatdhesimin e të burgosurve të Jugut.
Kështu, Veriu riktheu vetëm një pjesë të vogël të njerëzve që i kishte mbyllur në vend.
Pas një periudhe, Koreja e Jugut i harroi këta të burgosur. Pas disa vitesh, ekipi i negociatorëve nga Koreja e Jugut, ishte takuar me krerët e Koresë së Veriut, mirëpo, njerëzit e uzurpuar nuk ishin asnjëherë në axhendë.
Në Veri, familja e Lee pasqyrohej si e keqe. Babai i saj lindi në Jug, dhe kishte luftuar së bashku me forcat e Kombeve të Bashkuara në Luftën Koreane, kundër Veriut.
Statusi i ulët shoqëror i familjes, i zhyti ata në punë të rënda si dhe në perspektiva të errëta. Babai dhe vëllai i Lee, punuan në minierat e qymyrit, ku aksidentet fatale ishin dukuri të zakonshme.
Babai i saj, ëndërronte të kthehej në shtëpi një ditë. Ai planifikonte që dikur do të mund t’ju tregonte fëmijëve të tij tregime të larmishme të rinisë. Ai do t’i nxiste fëmijët që të ktheheshin në Jug.
“Do të më dekoronin me medalje, dhe djali dhe vajza ime do të njiheshin si fëmijët e heroit”, do të thoshte ai.
Mirëpo, ngjarja mori një drejtim tjetër, kjo pasi vëllai i Lee, i dehur me miqtë e tij, i nxori në shesh të gjitha ëndrrat e babait të tyre. Njëri nga miqtë e tij e raportoi tek autoritetet dhe pas disa muajsh, të dy ishin të vdekur.
Në vitin 2004, Lee arriti të arratisej për në Korenë e Jugut. Atëherë në ato momente e kuptoi se, vendi nuk e kishte parë atë si hero. Asgjë nuk ishte punuar në këtë drejtim, për rikthimin e të burgosurve në atdhe.
Ushtarët e burgosur në Korenë e Veriut, vuajtën shumë. Ata u konsideruan si armiq të shtetit, burra që kishin luftuar në “ushtrinë e marionetave”, ata madje u shtypën në rangun më të ulët të shkallës sociale.
Një status i tillë iu transmetohej edhe fëmijëve të tyre, sakaq këta të fundit nuk kishin të drejtë të ndiqnin shkollimin e lartë, apo edhe të drejtën dhe lirinë për zgjedhjen e profesionit të tyre.
Choi ishte një studente shembullore, por ëndrra e saj për të shkuar në universitet ishte pamundur për shkak të statusit të babait të saj. Ajo madje i reagoi me mllef babait të saj.
“Pse nuk ktheheni në vendin tuaj?”
Babai i saj nuk ia ktheu, por i tha se vendi i tyre nuk i ndihmoi për t’i riatdhesuar ata në shtëpi.
Tetë vjet më parë, Choi braktisi familjen dhe iku në Jug.
“Babai im donte të vinte këtu”, tha ajo.
“Unë doja të kthehesha në vendin tim, mirëpo familja ime nuk arriti. Kjo është arsyeja pse e braktisa djalin tim, vajzën dhe burrin tim”, u shpreh Choi.
Babai i saj tani ka ndërruar jetë. Dhe në Korenë e Jugut, babai i saj ishte shpallur i vdekur në dokumentet zyrtare, ku thuhet se vdiq në veprim gjatë luftës.
Sjellja e eshtrave të babait në shtëpi
Son Myeong-hwa, ende kujton qartë fjalët e fundit të babait të saj, i cili vdiq gati 40 vjet më parë.
“Nëse arrin të shkosh në në Jug, do t’i marrësh edhe eshtrat e mia me vete, dhe të më varrosësh në vendin ku unë linda”, i kishte thënë i ati.
Babai i Son, ishte një ushtar i Koresë së Jugut, i cili vinte nga Gimhae rreth 18 kilometra nga Busan.
Në Veri ai ishte detyruar të punojë në minierat e qymyrit dhe në një fabrikë, atij iu dha e drejta të kthehej në shtëpi, vetëm 10 ditë para se të vdiste nga kanceri.
“Është kaq e rëndë të vdes këtu pa i parë edhe një herë prindërit e mi”, i kishte thënë babai asaj.
Son u arratis në vitin 2005. Por iu deshën tetë vjet t’i merrte eshtrat e babait të saj nga Koreja e Veriut.
Ajo u kërkoi vëllezërve dhe motrave të saj të gërmojnë mbetjet si dhe t’i sjellin ato përmes Kinës. Miqtë e Son dhe vëllai i saj i ‘paketuan’ ato në tre valixhe.
Son protestoi për më shumë se një vit për njohjen e statusit të babait të saj, dhe ia varrosi eshtrat në varrezat kombëtare në vitin 2015.
“Mendova se ia plotësova dëshirën e tij të fundit”, tha ajo
Son tani drejton një shoqatë e cila ndihmon 110 familje të ushtarëve të Koresë së Jugut, që nuk u kthyen kurrë në shtëpi.
Përmes një testi të AND-së, Son ishte në gjendje të dëshmojë që ishte vajza e ushtarit që luftoi për Jugun – masë kjo e cile ishte e nevojshme që të merrte penzionin nga vendi.
Edhe nëse fëmijët e mbetur në Veri, arrijnë të kthehen në shtëpi, fëmijët e robërve të luftës nuk mund të vërtetojnë prejardhjen e tyre, dhe shumë prej të burgosurve konsideroheshin të vdekur, ose të zhdukur. /Telegrafi/