Dita e Fëmijëve, 1 Qershori është shënuar në Prishtinë me disa aktivitete nga institucionet komunale dhe ato private.
Si zakonisht komuna e Prishtinës ka organizuar në sheshin “Nëna Terezë”, aktivitetin tradicional, “Prishtina lexon” ku janë organizuar kënde të ndryshme të leximit, në të cilat kanë marrë pjesë fëmijë nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit duke e përzgjedhur edhe përrallën më të mirë.
Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka thënë se komuna e ka një shqetësim në këtë ditë pasi sipas tij mbi 50 për qind e fëmijëve të moshës 1 deri në 5 vjeç nuk e kanë asnjë libër në shtëpi.
“Sivjet përveç aktivitetit të zakonshëm që e kemi leximin dhe në kërkim të përrallës më të mirë për Prishtinën, i kemi edhe dy aktivitete tjera: është gara për lexuesin më të mirë dhe gara për modelin më të mirë grafik”, tha Sejdiu.
Një aktivitet për Ditën e Fëmijëve është organizuar edhe nga Muzeu i Kosovës ku është treguar fëmijëve për punën e arkeologëve.
Në sheshin “Ibrahim Rugova” ata i kanë demonstruar punët e Muzeut me disa kënde në të cilat fëmijët kanë pas mundësi t’i shohin për së afërmi këto aktivitete.
Drejtori i Muzeut, Skender Boshtrakaj, tha se Muzeu nuk do të ndalet vetëm me këto aktivitete.
Për nder të ditëve të fëmijëve një aktivitet është organizuar edhe nga organizatori i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”.
Ky aktivitet nga organizatori Xheladin Ujkani, është organizuar me qëllim të edukimit të fëmijëve për higjienën e dhëmbëve.
Me këtë rast ata kanë dhuruar për secilin fëmijë nga një brushë dhe pastë të dhëmbëve.
Në aktivitetet kushtuar atyre, shumë fëmijë kanë marrë pjesë duke u zbavitur por edhe mësuar me rastin e ditës ndërkombëtare të tyre.
1 Qershori shënohet në mbarë botën për të promovuar të drejtat e fëmijëve.