Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Mile Boshnjakovski, sot në konferencë për shtyp tha se nuk do të tërhiqen masat e sjellura pas shpalljes së epidemisë së fruthit, duke theksuar se në vitin e ri shkollor nuk do të regjistrohen filloristë të cilët nuk janë të vaksinuar.
“Vaksinimi është i obliguar. Në klasën e parë nuk do të mund të regjistrohen fëmijët që nuk janë të vaksinuar. Ligji për arsim fillor, neni 46, paragrafi 2 është i qartë”, tha Boshnjakovski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Boshnjakovski kujtoi se për shkak të gjendjes me fruthin, qeveria ka shpallur epidemi në territorin e gjithë shtetit.
Ai shtoi se vaksinimi në terren nga Ministria e Shëndetësisë bëhet sipas planit dhe se ka koordinim me Ministrinë e Arsimit./Telegrafi/