Blerta Shabani
Nuk është për t’u çuditur fakti që një prind e lejon vajzën e tij të bëj foto provokative. Ky nuk është rast i izoluar. Faji, në këtë rast, nuk është te fotografi po te prindërit, të cilët madje edhe bëjnë foto me vajzën e tyre.
Si është e mundur që një prind ta lejojë vajzën e tij tetëvjeçare të pozojë në atë mënyrë?!
Fotoja e shfaq një vajzë të vogël si një modele të rritur e cila e zbulon dhe e përdredh trupin e saj, gjë që tregon përndryshe për një vajzë rebele së cilës nuk ia prish askush qejfin dhe me të cilën prindërit krenohen.
Ky fenomen nuk është i panjohur. Modelet që njohim dhe që kanë njëfarë fame, tregojnë me mburrje se karrierën e kanë filluar si dymbëdhjetë ose më e shumta si pesëmbëdhjetëvjeçare. E natyrshme është të mendohet se edhe ato, sikurse tetëvjeçarja, kanë bërë fotografi edhe më herët, në moshë fare të njomë.
Problemi është shqetësues: kurdo që një vajzë i përgjigjet asaj që e kuptojmë si bukuri, ajo fillon të preokupohet me dukjen. Ajo objektivizohet. Por, kush është objektivizuesi i parë?
Prindërit!
Ne duhet ta kuptojmë se shumica prej nesh kemi lindur për të qenë lodra të prindërve tanë. Të mërzitur nga jetët e tyre pa angazhime, ata na kanë lindur dhe kanë luajtur me ne në forma të ndryshme. Sidomos ne që jemi vajza e dimë më mirë se si është të luash me një kukull; ta konsiderosh kukullën si njeri; ta simulosh realitetin njerëzor të cilin e lakmojnë fëmijët dhe e urrejnë të rriturit.
Në këtë mënyrë, të rriturit e mërzitur dhe pa ide jepen pas jetës fëmijërore. Ndërkaq, fëmijët jepen pas modeleve të të rriturve. Vajza në foto e ndjek modelin e modeles. Ndërsa, prindërit e saj luajnë me të dhe kërkojnë vëmendje për lodrën e tyre.
Prindërit pra duan vëmendje për talentin si modele të asaj vajze, pa i menduar pasojat që mund t’i sjell kjo.
Prindër të tillë ka shumë. Ata nuk mendojnë dhe nuk arrijnë të imagjinojnë dëmet në edukimin e fëmijës dhe edukimin e shoqërisë.
Pasoja më e madhe që do ta bart vajza është ngulitja e mendimit se ajo nuk ka se çka të shfaq tjetër përveç trupit; se trupi i saj duhet të shërbejë si objekt seksi – si një kukull e shoqërisë.
Po kjo vlen edhe për djemtë e vegjël të cilëve prindërit nuk hezitojnë t’iu blejnë lodrat ai armë, lodrat si vetura dhe t’ia përcaktojnë mënyrën gjinore të të menduarit.
Prandaj, prindërve të tillë – që fatkeqësisht janë shumë iu kisha propozuar që para se të sjellin në jetë një fëmijë, të bëhen më të përgjegjshëm dhe të mos ia përcaktojnë jetën në këtë formë.