Site icon Telegrafi

Fejzullahu nga ZRRE: Kemi importuar rrymë me çmim 8 herë më të lartë, është arritur piku maksimal i konsumit ditor

Kosova ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë dhe se gjatë muajit dhjetor 2021 është arritur piku maksimal i konsumit ditor të rrymë.

Kështu është shprehur kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

“Me kapacitet ekzistuese, prej 1,300MWh ka kaluar në 1,400MWh në periudhën e dimrit, në muajin dhjetor, e që është piku maksimal jo vetëm që nga paslufta, ky është piku maksimal që është arritur në Kosovë. Diferenca e kësaj sasie të energjisë është dashur të importohet me çmim nga 7 here deri në 8 herë më lartë me çmimet e importit në katër vitet e kaluara, e mos të flasim që çmimet e gjenerimit janë 10 herë më të shtrenjta se ai i çmimit vendor”, tha Fejzullahu, përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar se Kosova është e varur nga importi i energjisë elektrike.

“Gjatë periudhës së dimrit kemi sasi të madhe të importit, ku edhe pse mendojmë se prodhojmë energji për nevojat tona, në realitet kemi qenë jo shumë të varur nga importi, mirëpo gjatë dy viteve të fundi kjo është rritur për dy arsye”, ka shtuar ai.

Sipas Fejzullahut, mungesa e bllokut B2 të termocentralit “Kosova B” ka bërë që Kosova të importoj rrymë prej 1.5 milion euro në ditë.

Lexo po ashtu Propozimi i ZRRE-së për tarifat e reja të rrymës – sa pritet të rritet çmimi i faturave të energjisë?

“Për të përkeqësuar edhe më tepër gjendjen, ashtu siç e dini gjatë muajit tetor 2021 ka ndodhur një prishje në termocentralin ‘Kosova B’, gjithashtu edhe blloqet e ‘Kosova A’ kanë pasur vështirësi, ku kanë rënduar krizën energjetike. Kostoja ditore e mungesë së gjeneratorit B2 ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimet e tregut, nëse e zëvendësojmë atë energji të importit në treg”, thekson Fejzullahu.

Propozimin për ngritje të çmimit të energjisë, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së e arsyeton me rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare.

“ZRRE duke u bazuar në legjislacionin në fuqi ka prezantuar raportin konsultues për caktimin e tarifave. Të gjithë e dimë që kriza energjetike e ka përfshirë të gjithë Evropën, ashtu që edhe Kosova nuk është imune ndaj krizës, ka qenë e nevojshme edhe shqyrtimi i tarifave sipas mandatit që e kemi”, ka arsyetuar ai.

“Nëse e krahasojmë importin e këtij viti me ato të viteve të kaluara, çmimi është rritur për 50 herë, ndërsa kilovatët në dy-tri vitet e fundit kanë lëvizur nga 200 deri në 550 euro. Ka qenë e pamundur që kjo kosto nga ne, për shkak të rritjes enorme të çmimeve në bursat ndërkombëtare”, përfundon ai.

Ditë më parë, ZRRE në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600kWh energji elektrike në muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version