Tarifës 100 për qind nuk ia panë “hajrin” prodhuesit në mbarë trojet shqiptare, pasi më shumë u dëmtuan sesa që patën përfitime, derisa Maqedonia Veriore rriti eksportin drejt Kosovës për 30 përqind pas vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
Kështu thotë për KosovaPress, kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptarë, Nagip Fejzi, i cili foli edhe për pritjet e tij për mbledhjen e dy qeverive shqiptare që do të mbahet në këtë muaj në Shkodër.
Fejzi kërkon me çdo kusht që në mbledhjen e ardhshme të jenë prezent si biznese, përndryshe, sipas tij, nuk do të ketë sukses asnjëherë, për shkak se politika bën vetëm interesat e tyre personale pa asnjë rezultat.
“Ne do të jemi me çdo kusht prezent, edhe atë që ne kërkojmë në këto legjislatura janë të detyruar t’i zgjidhin. Shumë pak janë duke u zbatuar marrëveshjet, nga të gjitha ato takime që kanë pasur bilaterale mes dy qeverive shqiptare dhe të mos ketë asnjë rezultat është mjerim, por ne shpresojmë jo te qeveria e re, por te të gjithë qeveritë, pa marrë parasysh kush është, për ne është qeveri dhe ne duhet ta mbështesim. Do të jemi gjithmonë opozitë e qeverisë”, thotë Fejzi.
Ai deklaron se duhet të hiqet tarifa dhe të vendoset reciprociteti, teksa thotë se nuk ka pasur përfitim tash e më shumë se një vit, për shkak se rritja e importit në Kosovë është bërë nga Maqedonia Veriore.
“Nga këndvështrimi im nuk ia ka pa aspak hajrin për shkak se rritja e importit në Kosovë është rrit nga Maqedonia. Prodhimet s’kanë ardhur direkt nga Serbia, por në kanale të tjera. Kanë bërë dëme më tepër sesa përfitime. Normal një grup i vogël ka përfitime, por grupi i madh k a humbje të mëdha. Ne duhet të gjejmë rrugën e duhur që të mund të kemi reciprocitet me gjithë shtetet e rajonit. Kemi qenë gjithmonë, jemi edhe sot, por të ketë reciprocitet që do të kërkojmë me çdo kusht”, theksoi ai.
Shqetësime për të mbeten edhe problemet formale dhe jo-formale në dogana, në shkëmbimin e mallrave, ligje jo të harmonizuara Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.