Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, ambasada Pink tha se do të kërkojë që martesa brenda komunitetit LGBTI të njihet me ligj. Por, kur e deklaroi këtë nuk mori parasysh qëndrimet kundër të grupeve të tjera të interesit.
“Familja, shoqëria njerëzore deformohet nëse do të synohet një ngrehinë e tillë, që ska bazë askund dhe asgjë. Një shoqëri e tillë do të mbështetej mbi birësime. Shqipëria për pak vite nga statistikat shkon në plakje të popullsisë, pra do të thotë që vijimësia mbështet në numrin real të shoqërisë, jo në hamendësime dhe iluzione”, shprehet Ylli Gurra.
Në këtë logjikë, Komuniteti Mysliman kërkon të mos shpërfillet zëri i tyre.
“Në momentin kur diskutohen çështje që prek jo vetëm ndjeshmërinë, por edhe atë mbi të cilën qëndrojnë edhe komunitetet fetare, duhet të jetë detyrimisht pjesë e diskutimeve para se të shkojë në parlament”, shton Ylli Gurra.
Kundër janë edhe ortodoksët. Sipas tyre, rreziku qëndron te shndërrimi i fenomenit në model.
“N.q.s brenda kësaj familje nuk do kemi kombinim natyral, një baba dhe një nënë fëmija do rritet i shtrembër, dhe këtu shtrembërohet gjithë shoqëria. ata mund të bëjnë çfarë të duan në jetën e tyre private, por nuk mund të ligjërojnë devijacionin e tyre.”
“N.q.s ne do vazhdojmë me orekset e tyre, atëherë njëri mund të thotë dua statusin e perëndisë, dua statusin e kafshës. Këta janë grupe interesi që kanë ideologji, doktrinë, kanë të ardhura, kanë një sistem dhe fatkeqësisht ka njerëz me pushtet dhe pozitë që kanë devijuar dhe duke shfrytëzuar pushtetin dhe pozitën kërkojnë edhe të na e ligjërojnë”, thotë Miron Çako.
Përtej fesë, si ndikon psikologjikisht martesa brenda të njëjtës gjini?
“Përderisa është ndryshim do ndikojë edhe në aspektin moral, psikologjik dhe në familje sepse tashmë nuk mendohet të kemi vetëm prindër të gjinive të kundërta por edhe të njëjtit seks, kështu që pas martesave do kërkohet edhe birësimi”, shprehet Bruna Laboviti.
Por, Ambasada Pink është e vendosur t’i kërkojë, me çdo kosto, qeverisë ligjërimin e martesës brenda të njëjtës gjini, një e drejtë që sipas tyre, shteti shqiptar duhet t’ua njohë njësoj si bashkëqytetarët e tyre europian./tch