Site icon Telegrafi

Feja dhe politika: Asnjë ndryshim për të mirë!

Raporti ndërmjet fesë dhe politikës, impakti i ndërsjellët, mundësia e ndërhyrjes në punët e njëra-tjetrës të institucioneve fetare dhe atyre shtetërore me karakter laik, janë çështje që prej kohësh po vazhdojnë ta mbulojnë hapësirën dërmuese të debatit publik në shoqërinë tonë. Këto, aq sa janë të nevojshme dhe të rëndësishme për t’u trajtuar kolektivisht, po aq edhe mund të nxisin emocione dhe mosmarrëveshje në mes të palëve që debatojnë. Në rrafshin teorik janë dhënë së tepërmi mendime e ide, teori e pikëpamje të ndryshme, këshilla, sugjerime e propozime. Jo rrallë, këto të bëjnë të shpresosh se gjërat do të ndryshojnë për të mirë. Ndërkohë, jeta e përditshme në vendin tonë pasqyron një realitet tepër të brishtë.

Feja dhe politika janë dy forma të rëndësishme të veprimtarisë shoqërore, ndër më të vjetrat. Nga një pikëvështrim sociologjik, edhe feja konsiderohet si një produkt dhe formë e caktuar e vetëdijes shoqërore. Njeriu pra është kafshë politike dhe metafizike e religjioze. Derisa është kështu, është shumë e natyrshme se nuk mund të ketë ndarje strikte midis këtyre dyjave. Ndarja e fesë me politikën, sipas modelit perëndimor të sekularizmit, nënkupton ndarjen e institucioneve fetare dhe atyre shtetërore. Kjo absolutisht nuk do të thotë se dikush që merret me politikë të mos ketë bindje fetare, ose të mos jetë besimtar, ashtu siç nuk do të thotë se një prijës fetar të mos ketë një orientim të caktuar politik apo ndonjë simpati për ndonjë subjekt politik.

Telashet tona po vijnë nga plogështia e institucioneve fetare dhe shtetërore, njëkohësisht edhe nga papërgjegjshmëria e atyre që i përfaqësojnë ato. Atëherë kur u mendua se më në fund u morëm vesh se çka përfaqësojnë institucionet fetare e çka ato politike apo shtetërore, diku në një xhami të Mitrovicës kemi një hoxhë që e kthen shtëpinë e Zotit në një arenë elektorale. Ai kërkon nga xhemati që ta votojnë atë që “ja u ka munsu njerëzve me dekë”. Ndërkaq, në anën tjetër, një politikan i llojit të Lutës, i verbuar nga lufta për vota, premton shaminë në shkolla për votuesit besimtarë, duke harruar kështu ligjet dhe institucionet, pjesë e të cilave është edhe ai vetë. E di që mund të duket krejt i natyrshëm një premtim i tillë, por fakti se Lutfi Haziri e di se personalisht nuk ka fuqi politike për ta realizuar këtë premtim, ashtu siç nuk do të ketë edhe nëse zgjidhet kryetar i Gjilanit, të bën të kuptosh se ai kësaj radhe e ka parë fenë si karrem për vota.

Nganjëherë edhe Lëvizja Vetëvendosje! shkëlqyeshëm di t’i jep jetë hipokrizisë morale në politikë, duke e futur fenë në këtë mes. E të mos flasim pastaj për disa subjekte të tjera politike, si LISBA për shembull, e cila gati sa nuk i sheh fenë dhe politikën si sinonime.

Fatkeqësia jonë e kohëve të fundit ka të bëjë me “të dërguarit e Zotit” në Siri. Ata kanë shkuar në luftë. Ata edhe po vriten. E, Bashkësia Islame i dënon këto akte. Ajo distancohet nga to. Thonë se janë raste individuale. E zëmë se është kështu. Por, duhet ta dimë se këta njerëz, të cilët Zotin e marrin për rekrutues mercenarësh në luftërat e njeriut kundër njeriut, nuk kanë lindur të tillë. Ata i kanë indoktrinuar me këso farë bindjesh. Kjo do të thotë se në Kosovë ekziston një frymë e ekstremizmit fetar. Atëherë, çfarë po pret BIK-u? Nëse edhe vetë ky institucion është kundër, pse s’ka nisma konkrete drejt vetëdijesimit të këtyre myslimanëve (myslimanë iu thënçin!), të cilët mund të jenë të shumtë në numër këtu tek ne.

Bashkësia Islame deri sot e ka dëshmuar veten për fabrikime rekord të deklaratave për media. Asgjë më shumë. Asnjë ndryshim për të mirë! Fajtorë këtu janë të dy palët, edhe prijësit shpirtërorë, edhe ata të shtetit. Të parët sepse nuk po arrijnë – ose nuk po duan – ta çrrënjosin nga mendja e besimtarëve idenë e luftës në emër të Zotit. E këta të fundit sepse nuk kanë ndonjë ndërmarrje ligjore, serioze, që do t’i ndalonte qytetarët tanë të marrin pjesë nëpër maskarada të tilla, jashtë shtetit.

Deri më sot, ne nuk kemi parë ndonjë shenjë që do të ngjallte shpresë për ndonjë ujdi eventuale mes fesë dhe politikës në Kosovë, përkatësisht mes institucioneve fetare dhe atyre të shtetit. Deri më sot, ne kemi parë vetëm hallakamë morale. Asnjë ndryshim për të mirë!

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version