Telegrafi

Federata italiane po mendon të kërkojë dëmshpërblim nga Mancini pas ikjes së tij të parapritur

Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina thotë se federata italiane po shqyrton një veprim ligjor kundër ish-përzgjedhësit Roberto Mancini.

Gravina foli pas një takimi të Këshillit Federal të enjten ku dha mendimin e tij në lidhje me Mancinin.

“Këshilli ka ngarkuar një profesionist që të japë një opinion teknik ligjor për të kuptuar nëse është e mundur të marrim kompensim”, ka thënë Gravina shkruan Repubblica.

Gravina shtoi se Këshilli do të diskutojë hapat e mëtejshëm pas opinionit të dhënë nga profesionisti i punësuar nga FIGC.

Mancini u tërhoq papritur si përzgjedhës i Italisë në gusht, duke nënshkruar me Arabinë Saudite vetëm disa javë më vonë.

Mancini ka shpjeguar se largimi nga Azzurrët nuk kishte lidhje me ofertën e Arabisë Saudite, duke sugjeruar se disa vendime të marra nga Gravina, veçanërisht në lidhje me stafin e tij, çuan në dorëheqjen e tij.

Lexo po ashtu Mancini flet si trajner i ri i Arabisë dhe falënderon futbollistët që e mposhtën Argjentinën

Tani FIGC dëshiron të hetojë nëse ata mund të kërkojnë dëmshpërblim për largimin e papritur të Mancinit.

Gravina u takua me Mancinin në Romë të mërkurën mbrëma. “E përshëndeta Mancinin kur e takova dje sepse respekti dhe edukimi janë vlera kyçe në sport”, përfundoi presidenti i FIGC. /Telegrafi/