Tenisti serb, Novak Djokovic ka provokuar sërish Kosovën, kësaj radha nga Kampionati Botëror i Tenisit, atje ku në prezantimin e ekipit serb, janë lëshuar këngë nacionaliste ku përmendet Kosova dhe ku bëhet thirrje që flamuri serb të valojë nga Prizreni deri në Rumi.
Kjo ka bërë që Federata e Tenisit në Kosovë të reagojë duke e dënuar fuqishëm këtë provokim të Djokovic dhe pjesës tjetër të ekipit serb.
“Është për keqardhje që provokime të tilla me këngë e veprime nacionaliste po ndodhin nëpër ngjarje të mëdha sportive, e sidomos në Davis Cup që është Kampionati Botëror i Tenisit (ITF)”.
“Federata Ndërkombëtare e Tenisit si organizatore e kësaj garë është përgjegjëse dhe bashkëfajtore për këtë provokim të radhës ndaj shtetit të Kosovës”.
“Federata e Tenisit për ta mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe institucionet e saja të pranuara ndërkombëtarisht, në koordinim me institucionet e lartpërmendura do ta bëjë ankesën e radhës në ITF, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe institucionet të tjera relevante ndaj provokimit të fundit të tenistëve serb në Malaga”, thuhet në reagimin e kësaj Federatës së Tenisit.
Ndryshe, Djokovic në Paris, në turneun Rolan Garros pati bërë bujë të madhe me shkrimin e tij ku shkroi që Kosova është zemra e Serbisë. /Telegrafi/