Telegrafi

Federata e Sporteve Universitare pranohet me të drejta të plota në FISU

Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUK) është pranuar me të drejta të plota si anëtarja më e re në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU), në Asamblenë e Përgjithshme që po mbahet në Taipei të Tajvanit.

FISU e pranoi FSUK-n me vetëm dy vota kundër dhe një votë abstenim. Njëra nga Federatat që votoi kundër ishte ajo e Serbisë.

Pranimi ka ndodhur sot (17 gusht) në orën 14:30 me kohën lokale të Tajvanit.

Kujtojmë që në Kongresin e FISU-s po marrin pjesë edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe presidenti i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, Musa Selimi.

Të dy e kanë mirëpritur vendimin e madh të FISU-s, që vjen vetëm disa muaj pas formimit të kësaj federate, formim ky që ndodhi me iniciativën dhe organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.