Telegrafi

Federata e Spanjës i ofrohet për t’i ndihmuar, Moriba largohet edhe nga ta për t’iu bashkuar Guineas

Ilaix Moriba është bërë një çështje te Barcelona, pasi nuk ka pranuar vazhdimin e kontratës.

Mesfushori i talentuar është futur në vitin e fundit të kontratës, por nuk ka pranuar rinovimin me Barçën.

Kjo ka bërë që katalunasit t’i bëjnë me dije lojtarit se ose duhet të nënshkruajë, ose të bije një ofertë rreth 15 milionë euro në të kundërtën do të mbetej për një vit pa luajtur për Barcelonën ose Barcelonën B.

RB Leipzig dhe Manchester City janë interesuar për transferimin e lojtarit, por ende nuk ka ardhur oferta e duhur te Barcelona.

Por një tjetër çështje ka ndodhur te Moriba, kësaj radhe me Kombëtaren e Spanjës.

Gazeta spanjolle AS ka raportuar se përfaqësuesit e federatës spanjolle i janë ofruar për t’i ndihmuar lojtarit pas situatës së rëndë te Barcelona, por ai i ka befasuar me vendimin e marrë.

18-vjeçari i ka kumtuar lajmin spanjollëve se ka vendosur të luaj për Kombëtaren e Guineas, që është edhe vendlindja e babait të tij.

Moriba e ka marrë tanimë këtë vendim dhe nga shtatori do të bëjë debutimin zyrtar me Guinean.

Kujtojmë se mesfushori qendror ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Spanjës dhe tani do të ndryshoj për t’i përfaqësuar rrënjët e tij. /Telegrafi/