Site icon Telegrafi

Federata e Automobilizmit kalon barrierën e fundit

Sot në Tiranë, u diskutua për pranimin e Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK).

Nga shtetet pjesëmarrëse, vetëm Sllovakia, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina kanë abstenuar, ndërsa përfaqësuesit e vendeve tjera kanë qenë për pranimin e FASK-ut në FIA CEZ.

Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, është shprehur i kënaqur me atë që ndodhi në Tiranë, megjithëse diçka e tillë edhe është pritur, transmeton Klan Kosova.

“Kemi qenë të bindur se nuk do të ketë asnjë problem, madje ky ka qenë vetëm një formalitet që duhej të kryhet”, ka thënë Rexhepi.

Në zonën e FIA CEZ përfshihen: Shqipëria, Austria, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Çekia, Hungaria, Italia, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Serbia, Sllovenia dhe Sllovakia.

“Tashmë edhe formalisht nuk ka asnjë barrierë për garuesit tanë për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Ata janë plotësisht të barabartë me garuesit e vendeve tjera, ndërsa jam i bindur se do t’u gëzohemi edhe rezultateve të mira”, ka shtuar numri një i FASK-ut.

Kampionati i sivjetmë fillon më 24 prill, me garën që do të zhvillohet në Gjakovë.

Exit mobile version