Telegrafi

Federata e Anglisë paralajmëron lojtarët e Ligës Premier që të mos bëjnë veprime si të Kolasinac

Lojtarët e Ligës Premier janë paralajmëruar të mos kopjojnë veprimet e mbrojtësit të Arsenalit, Sead Kolasinac, i cili me guxim luftoi kundër dy grabitësve të armatosur.

Incidenti i tmerrshëm u zhvillua në veri të Londrës të enjten e kësaj jave kur Mesut Ozil po voziste me bashkëlojtarin e tij në Mercedes G-Class SUV dhe atyre iu afruan dy grabitës me motoçikletë.

Mesfushori gjerman thuhet se e ka braktisur makinën e tij në shpejtësi në ato momente dhe kuptohet se ka ikur për të shpëtuar, ndërsa pamjet tregojnë veprimin e Kolasinac duke dalë nga makina për t’u përballur me dy grabitësit.

Një video e incidentit të postuar në Twitter është shpërndarë 23.500 herë dhe ka rreth 14 milionë shikime.

Megjithatë, PFA ka mbështetur reprezentuesin e Bosnjës, mirëpo ata nuk duan që të tjerët ta bëjnë këtë në të ardhmen nëse një incident do të ndodhë përsëri.

Zëvendës shefi ekzekutiv Bobby Barnes tha: “Për asnjë pasuri nuk ia vlen të rrezikosh jetën tënde. Këto gjëra mund të zëvendësohen. Më mirë të vendoset siguria juaj në rend të parë”.

Lexo po ashtu Wilder dëshiron të punojë me Kolasinacin pas lëvizjeve heroike që bëri kundër grabitësve të armatosur

Arsenali tha në një njoftim: “Ne kemi qenë në kontakt me të dy lojtarët dhe ata janë mirë”.

Tre vjet më parë, ish-sulmuesi i West Hamit, Andy Carroll, u sulmua nga dy grabitës, kur ai u kthye në shtëpi nga seanca stërvitore me Hammers.

Sulmuesi anglez ishte larguar me shpejtësi të lartë pasi njëri prej grabitësve u përpoq të vjedhë orën e tij prej 25 mijë eurosh, derisa priste në trafik. /Telegrafi/