FC Suhareka është kurorëzuar me titullin e kampionit në Raiffeisen Ligën e Parë – Grupi A, ku sot ka pranuar trofeun.
Pas ndeshjes së fundit të këtij edicioni që kjo skuadër e zhvilloi sot në stadiumin e qytetit në Suharekë kundër Trepçës (2-2), Federata e Futbollit e Kosovës e organizoi ceremoninë e ndarjes së medaljeve dhe trofeut të kampionit për FC Suhareka.
Trofeun për kapitenin e skuadrës Yll Hoxha e ndau presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa medaljet i ndanë Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës, Mirsad Çollaku, anëtar i KE të FFK-së dhe Labinot Ibrahimi nënkryetar i LRF Prizrenit. Ndërkohë, presidenti Ademi e ka përgëzuar FC Suhareka për suksesin e arritur në këtë edicion.
“Urime FC Suhareka për triumfin e madh! Titulli i kampionit në Raiffeisen Ligën e Parë dhe inkuadrimi në AlbiMall Superligë është një sukses i jashtëzakonshëm për klubin tuaj. Përkushtimi dhe puna e palodhur e drejtuesve, stafit të trajnerëve dhe futbollistëve tuaj është një shembull frymëzues për të gjithë. Uroj që në edicionin e ardhshëm të vazhdoni të shkëlqeni dhe t’i sjellni vlera shtesë AlbiMall Superligës. Mirë se vjen në elitën e futbollit kosovar! Urime Suharekë!”, ka theksuar presidenti Ademi.
Emocionet e këtij suksesi i shpalosi pas ceremonisë edhe kapiteni i skuadrës, Yll Hoxha.
“Realisht ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë, pasi dihet që kemi vetëm 8 muaj që jemi krijuar si klub dhe normal që rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. Të gjithë futbollistët kemi ardhur në të njëjtën kohë dhe kemi pasur vështirësi derisa jemi komponuar. Por me të vërtetë kemi një kryesi shumë të mirë, të cilët duhet t’i falënderojmë sepse na kanë qëndruar afër në çdo moment. Gjithashtu duhet t’i falënderojmë edhe stafin që ka bërë një punë të shkëlqyer dhe normal çelësi i tërë këtij suksesi është grupi i shëndosh dhe shumë i bashkuar, pasi të gjithë kanë luftuar për njeri-tjetrin në çdo moment. Suhareka në të ardhmen do të jetë një nga klubet më të suksesshme dhe më stabile”.
Në fakt, ky sukses i FC Suhareka vjen qysh në edicionin e tij të parë të themelimit, pasi ky klub u formua në verën e kaluar dhe pas problemeve financiare të klubit prizrenas A&N bëri fuzionimin me këtë klub dhe hyri fuqishëm në kampionat si njëra nga klubet më të organizuara.