FC Shkupi, që aktualisht ndodhet në pozitën e gjashtë në tabelën e kampionatit të Maqedonisë së Veriut me 22 pikë, ka filluar lëvizjet në merkaton e dimrit për të forcuar skuadrën dhe për të siguruar daljen në Europë, pas eliminimit të hershëm nga Kupa e Maqedonisë, njofton Telegrafi.
Klubi ka zyrtarizuar përforcimin e parë, ai është mbrojtësi turk Emir Yazici. Futbollisti 22-vjeçar është një produkt i akademisë së mirënjohur të Trabzonsporit, ndërsa më parë ka luajtur për ekipin e Kusadasispor. Yazici gjithashtu ka përfaqësuar moshat e reja të Trabzonsporit dhe në moshën 19-vjeçare, u transferua te Karagumruk. Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë pjesë e disa skuadrave në Turqi, dhe transferimi te FC Shkupi është aventura e tij e parë jashtë vendit.
Qendërmbrojtësi, i gjatë 185 cm, firmosi kontratë për dy vite e gjysmë në praninë e Drejtorit Gjeneral të FC Shkupi, Aykut Turan. FC Shkupi i uroi mirëseardhje Yazicit, duke shprehur besimin se ai do të kontribuojë në stabilizimin e mbrojtjes.
FC Shkupi njofton gjithashtu se kjo është vetëm lëvizja e parë, pasi klubi planifikon të sjellë edhe përforcime të tjera në skuadër për të qenë konkurrues në luftën për vendet që sigurojnë pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/