Site icon Telegrafi

FC Prishtina mbulon stadiumin, priten investime të reja

“Kemi të bëjmë me një projekt që në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e cila ka dy muaj që është në fazën e tenderimit publik dhe kompania fituese tani më veç ka filluar implementimin e këtij projekti. Kjo do të sjellë përfitim për ambientin e stadiumit të qytetit e përfituesit më të mëdhenj do të jenë tifozët e Prishtinës dhe të gjithë adhuruesit e futbollit që do të vijnë në stadium.

Kemi të bëjmë me tribunën perëndimore e kjo jo vetëm që do t’i mbroj tifozët nga të reshurat atmosferike, por do t’i mbroj edhe ambientet e brendshme të klubit. Afati i përfundimit të punimeve është në bazë të afateve të rregullave të tenderimit e që besoj brenda dhjetë ditëve do të përfundoj e më pastaj do të pasohet vendosja e karrigeve, donacion ky i Federatës së futbollit të Suedisë”, ka theksuar drejtori i FC Prishtina, Sokol Krasniqi.

Drejtori i FC Prishtina, Sokol Krasniqi ka konfirmuar se projekti ka kushtuar diku rreth 200.000 euro, por sa në të vërtetë do të kushtoj deri në fund të kompletimit të punës është çështje e Komunës së Prishtinës dhe jo e klubit të Prishtinës. Drejtori, Krasniqi po ashtu ka konfirmuar se për kohë të shkurtër do të jenë të rrethuara edhe dy tribunat, veriore dhe jugore të cilat deri më tani kanë qenë parrethuara me grilat ndarëse me fushën e blertë.

“Stadiumit shumë i ka munguar ky investim, por ju e dini që ka pasur shumë gjëra më emergjente tjera si në rrugë apo shkolla se sa shembull mbulimi i tribunës, por ja që edhe këtij projekti i ka ardhur koha”, tha Krasniqi.

Nënkryetari i Bordit të FC Prishtina, Afrim Muçiqi ka garantuar investime tjera shtesë

Ndërsa, edhe nënkryetari i Bordit të FC Prishtina, Afrim Muçiqi e ka shpjeguar në tërësi investimin e bërë, punën që do të behet dhe ka garantuar edhe shumë investime tjera që pritet të bëhen në shtëpinë e skuadrës më të madhe në vend.

“Është kjo faza e parë e mbulimit të tribunës perëndimore. Është ky projekt që është miratuar që në muajin prill të këtij viti, por duke e marrë parasysh fazat e shpalljes së tenderit dhe prokurimit e që neve si klub nuk ka intereson se kush e fiton. Interesimi ynë si klub ka qenë që kjo tribunë më në fund të mbulohet ku edhe ka filluar puna. Komuna e Prishtinës për këtë projekt ka ndarë afërisht 202 mijë euro i cili pritet të përfundojë, sipas firmës që kryen punët, përreth gjashtëdhjetë ditë.

Po ashtu është shpall edhe tenderi i vënies së karrigeve të reja në tribuna, donacion ky i marrë nga Federata e futbollit të Suedisë nëpërmjet Federatës së futbollit të Kosovës. Pra, edhe këtu Komuna e Prishtinës do të ndihmoj me mjete për punëkryesin e vënies së këtyre karrigeve e që përfshihet edhe pjesa e quajtur ‘vip’. Aty parashihen edhe kabinat e posaçme për gazetarë të kompletuara si mbulimi me internet dhe me gjërat tjera përcjellëse. I gjithë ky është investim komunal”, ka sqaruar, Muçiqi dy fazat e para.

“Dhe faza e fundit do të jetë komplet rregullimi i teshatoreve brenda ambientit të stadiumit. Kjo edhe përshkak kushteve atmosferike të dimrit në të cilin po hyjmë, besoj se punët do të përfundojnë deri në verën e vitit të ardhshëm. Me këtë nënkuptohet që do të rregullohen nga fillimi të gjitha zyrat, tualetet, teshatoret me ambientet përcjellëse të brendshme.

Ndërsa ne si klub, po ashtu kemi kërkuar që brenda tribunave të jetë edhe pjesa e rezervuar për njerëzit me aftësi të kufizuara, kriter ky i kërkuar edhe nga FIFA”, ka shpjeguar nënkryetari i FC Prishtina.

Muçiqi ka thënë se klubi tani më i ka gjithsejtë 10.000 karrige, donacion i Federatës së futbollit të Suedisë në bashkëpunim me Federatën e futbollit të Kosovës dhe do të gjendet mënyra më e mirë që ato t’i kombinohen dhe të duket një ambient komod dhe i bukur sportiv.

“Kurse, klubi është duke investuar me mjetet e saj, e që s’janë pak, me vendosjen e grilave edhe në dy tribunat, veriore dhe atë jugore. Me këtë mbaron edhe kushti që në të gjitha tribunat sërish të vendoset shikuesit. Ka filluar vendosja e grilave në tribunën veriore dhe shumë shpejtë, besoj brenda dy javëve ato do të përfundojnë.

Reflektorët do të riparohen ata që janë e cila nuk kërkon shumë të madhe të mjeteve që do të grumbullohet nga aksionarët e klubit, por ndoshta do të ketë edhe ndihmë nga Komuna e Prishtinës, ndërsa nën tribunën perëndimore të mbuluar do të vendosen reflektorë shtesë të ri që do të ndriçojnë edhe shkallët e tribunës edhe fushën e blertë. Unë besoj dhe nuk është premtim, por është garantim që stadiumi në qershor të vitit të ardhshëm pa problem do të zhvillojmë ndeshje që i plotëson kriteret e kërkuara ndërkombëtare”, ka shpjeguar Muçiqi të gjitha fazat që do të bënin të kompletuar stadiumin.

Shtegu i atletikës i ngecur për shkak të Ministrisë së Sportit

Afrim Muçiqi ka shpjeguar edhe pjesën që do të duhej të shtrohej shtegu i atletikës i cili edhe ashtu nuk i plotëson normat, i cili nuk do të shtrohet me ‘tartan’, vlera e të cilit është shumë e madhe, por me bari sintetik ashtu siç tani më është shtruar prapa portave.

“Shtegu i atletikës edhe ashtu nuk i plotëson kushtet e shtegut olimpik, sepse ka vetëm katër korsi. I tërë projekti ka qenë i Ministrisë së Sportit të cilët e kanë lënë në gjysmë. Dy herë kanë hapur tender me shuma marramendëse, ndërsa auditori me gjasë ka gjetur parregullsi dhe e ka anuluar investimin, por neve si klub kjo nuk na përket. Ne e kemi kryer punën tonë duke iu dërguar projektin dhe punët tjera që na kanë takuar, por fatkeqësisht ne si klub jemi absolutisht të anashkaluar nga Ministria e Sportit.

Është e pakuptueshme që stadiumi kryesor në vend, stadiumi i vetëm në kryeqendër në këtë mënyrë të anashkalohet dhe ky është absurditet në vete. Ç’është e vërteta nga Ministria e Sportit ka pesë vite që kanë premtuar përfundimin e punëve dhe sinqerisht unë më nuk e di se kur do t’i përfundojnë ato”, ka shpjeguar Muçiqi arsyen e pamjes të shëmtuar përreth fushës së blertë. /prishtinafc/Telegrafi/ 

Exit mobile version