Site icon Telegrafi

FC Prishtina dhe Policia e Kosovës sqarojnë gjithçka rreth ndeshjes ndaj Dritës në konferencën e jashtëzakonshme

Klubi kryeqytetas, Prishtina, ka mbajtur në zyrat e veta konferencën e jashtëzakonshme  së bashku me Policinë e Kosovës për ndeshjen ndaj Dritës së Gjilanit.

Prishtina është nikoqire e Dritës në ndeshjen e fundit të sezonit 2017/18 në Superligën e Kosovës, ndeshja e cila vendos titullin kampion.

Kjo ndeshja e madhe pritet të zhvillohet në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, pasi Prishtinës nuk iu mundësua zhvillimi i kësaj ndeshje në kryeqytet.

Megjithatë, as ky stadium nuk ka kushtet më të mira të mundshme dhe drejtuesit e klubit të Prishtinës, së bashku me Policinë e Kosovës kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme, ku kanë sqaruar gjithçka në lidhje me ndeshjen dhe mbarëvajtjen e saj.

Nënkryetari i klubit të Prishtinës, Afrim Muçiqi, ka thënë se klubi bardhekaltër ishte i detyruar të bëjë këtë zgjidhje, pasi sipas tij këto ishin rrethanat pas mos-lejimit nga organet përgjegjëse për të zhvilluar ndeshjen në “Stadiumin e Qytetit” në Prishtinë.

Muçiqi gjithashtu shtoi se kapaciteti i stadiumit të Pejës është vlerësuar të jetë për 1250 persona, ku nga ta kanë ndarë 5 për qind të biletave, apo 100 sosh për mysafirët dhe të tjerat për klubin vendas, përcjell Telegrafi.

Shkaku i interesimit të madh për këtë ndeshje, klubi i Prishtinës ka vendosur që sikurse për tifozët vendas ashtu edhe për ata mysafirë, të ndajë biletat në formë ftese, duke mos pasur nevojë askush të paguajë ndonjë shifër dhe bileta nuk do të ketë në shitje.

Foto: FC Prishtina/Facebook

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, toger Bajram Shabani, foli në lidhje me sigurinë dhe masat që kanë marrë në lidhje me këtë ndeshje të madhe për futbollin e Kosovës.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka marr të gjitha masat e sigurisë dhe të dy tifozëritë do të përcillen në destinacionet: Prishtinë-Pejë-Stadium-Prishtinë dhe Gjilan-Pejë-Stadium-Gjilan, për të evituar çdo ekses të mundshëm, shkruan Telegrafi.

Përfaqësuesi i Policisë gjithashtu shtoi se do të ketë mjaftueshëm forca të rendit dhe speciale që do të sigurojnë ndeshjen dhe mbarëvajtjen e saj, ndërsa i ftoi tifozët të veprojnë konform ligjit.

Në fund, Prishtina ndjeu keqardhje që kjo ndeshje nuk u lejua të zhvillohet në kryeqytet pasi donin t’i tregonin botës një anë pozitive të futbollit dhe tifozërisë së Kosovës.

Ndryshe, ndeshja zhvillohet të dielën nga ora 16:00, ndërsa hyrjet e stadiumit pritet të hapen pas orës 13:15. /Telegrafi/

Exit mobile version