Pas vizitës që ia pati bërë FC Prishtinës presidenti i klubit gjerman, Helmut Hack, i cili po ashtu i kishte bërë disa dhurata për ekipin bardh e kaltër duke i dërguar topa dhe veshje tjera sportive, tani pala prishtinase ka shkuar në Gjermani.
Presidenti i klubit nga Bundesliga 2 të martën i ka pritur presidentin e klubit më të madh kosovar, Remzi Ejupin, i cili në Greuther Furthit ka shkuar me drejtorin e Akademisë së FC Prishtinës, Besnik Kollari dhe me menaxherin profesional të klubit, Arsim Thaçi.
Ky i fundit para pak ditësh mori pozitë të lartë nga Bordi i FC Prishtinës, ndërsa tashmë e ka nis punën, dhe pritet të ndihmohet nga Greuther Furth.
Helmut Hack dhe Remzi Ejupi janë shpreh të kënaqur me bashkëpunimin e hovshëm që po e bëjnë kohëve të fundit dhe janë zotuar se ritmin veç çka do ta rrisin edhe më shumë. Ata kanë biseduar për shumë çështje të ndryshme, në interes të dyja klubeve, posaçërisht për ndihmën që Greuther Furth mund t’ia jap FC Prishtinës rreth zhvillimit të Akademisë.
Trajnerët gjermanë pritet t’u ndihmojnë atyre prishtinas, por edhe lojtarëve të rinj të FC Prishtinës drejt zhvillimit, e po ashtu do t’ua japin shansin për t’u sprovuar në Greuther Furth.
Ejupi me shokë janë takuar edhe me drejtorin sportiv të këtij klubi, Ramazan Yildirim, dhe me zyrtarë tjerë.
Ejupi dhe zyrtarët tjerë të FC Prishtinës e kanë takuar edhe sulmuesin kosovar të këtij klubi gjerman, Ilir Azemin, të cilin i kanë uruar kthim të shpejtë në formën e dikurshme pas aksidentit në trafik. Me këtë rast Ejupi ia ka dhënë një simbol të FC Prishtinës reprezentuesit kosovar.