Kampioni i Kosovës në futsall, FC Prishtina 01, ka shënuar fitore edhe ndaj Utleiras me rezultat 5-1 në ndeshjen e dytë të fazës paraeliminatore në Ligën e Kampionëve.
FC Prishtina 01 e nisi shumë mirë duke shënuar që në minutën e dytë me Ramadan Alajn, ndërsa nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i dytë nga Halim Selmanaj.
Pjesa e parë u mbyll me golin e Malush Qerimit për 3-0.
Bardhëekaltërit shënuan dy herë edhe në pjesën e dytë me Drilon Maxharrajn dhe Ermir Kryeziun për ta dërguar rezultatin në 5-0.
Krejt çfarë bënë norvegjezët ishte një gol i shënuar në minutën e 33-të për rezultatin përfundimtar 5-1.
Me këtë fitore Prishtina ka siguruar të paktën vendin e dytë në Grupin D të raundit preliminar të Ligës së Kampionëve.
Pozita e parë në grup siguron avancimin në main raund të Ligës së Kampionëve, ndërsa kalimi tutje është i mundur edhe prej pozitës së dytë. /Telegrafi/