Me këtë sponsorim të radhës është paraparë që përfituesi, Federata e Basketbollit të Kosovës, të shfrytëzojë për tre vite me radhë shërbime që ofron hoteli më luksoz në Kosovë pa pagesë.
Pos titullit – hotel zyrtar i FBK-së, hoteli do të përfitojë edhe reklamë në ndeshje të Ipko Kupës dhe Salamander Superkupës së Kosovës, në webfaqen zyrtare të FBK-së, do të paraqitet në të gjitha konferencat dhe publikimet e Federatës gjatë kohëzgjatjes së kontratës.
FBK është shprehur shumë e kënaqur me këtë marrëveshje dhe falenderon publikisht menaxhmentin e hotelit për ndihmën e ofruar. Ky sponsorim mundëson zhvillimin e shumë aktiviteteve të FBK-së në nivel shumë të lartë dhe njëkohësisht liron Federatën nga pagesat e sallave për kuvende, mbledhje, seminare dhe vendosje të mysafirëve të lartë.
Në kuadër të këtij sponsorimi FBK në bashkëpunim me BIBL, nesër, në hotelin Swiss Diamond, me fillim në ora 10:30, organizon edhe klinikën e radhës për gjyqtarë dhe vëzhgues ku do të ligjërojë vetë drejtori i BIBL, Shay Shtriks, njëkohësisht refer shumëvjeçar i FIBA-së dhe instruktor në kampin e Allen Riçardsonit si dhe Kamen Toshev, instruktor i FIBA-së. /Telegrafi/