Telegrafi

FBK reagon ndaj incidentit në ndeshje me Shqipërinë, jep versionin e vet

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka reaguar me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në internet në lidhje me sherrin e ndodhur gjatë ndeshjes miqësore Shqipëri-Kosovë.

Në njoftim cilësohet i gabuar vendimi i përjashtimit nga loja të basketbollistit Dardan Berisha, pavarësisht se ky i fundit pati një reagim mjaft të ashpër dhe fyes ndaj lojtarit të Shqipërisë, amerikanit të natyralizuar Majk Mohzer.

Lexo po ashtu Kosova mposht Shqipërinë në një miqësore basketbolli

Duke qenë se Kosova e fitoi këtë ndeshjeve miqësore me rezultatin 71:63, titulli i postimit në faqen zyrtare në internet të Federatës është: “Kosova më e fortë se Shqipëria”.

“Në ndeshjen e parë në Tiranë, kombëtarja e Kosovës shënoi fitore ndaj asaj të Shqipërisë me 8 pikë dallim 71:63. Kosova e filloi ndeshjen me seri 10:0 dhe në fund të çerekut të parë kishte epërsi prej 9 pikësh 23:14, në saje të lojës efektive, kryesisht në trapez, gjë që është posaçërisht inkurajuese.

Çereku i dytë u përshkua me lojë të tensionuar dhe pas një incidenti midis Mike Moser dhe Dardan Berishës, gjyqtarët përjashtuan Dardan Berishën nga ndeshja.

Lexo po ashtu Skandal në miqësoren e Kosovës dhe Shqipërisë në basketboll, fyerje raciste, konfrontime e gjithçka tjetër (Foto)  

Vendimi i gjyqtarëve, edhe pse ishte i gabuar, u respektua nga ekipi jonë. Kosova mbante epërsinë e vazhdueshme deri kah mesi i çerekut të katërt kur kjo epërsi ra në vetëm një pikë dhe atë dy herë.

Sidoqoftë, pesë pikë të Granit Rugovës, një treshe e Erjon Kastratit dhe gjashtë pikë të Leonard Mekajt në minutat e fundit, i mundësuan Kosovës fitoren, në dukje të lehtë dhe finish të qetë të ndeshjes.

Kosova nesër zhvillon ndeshjen e dytë me Shqipërinë në ora 19:00 në palestrën Feti Borova. Kjo do të jetë miqësorja e fundit e Kosovës para fillimit të para kualifikimeve për Kupën e Botës Kina 2019, ku Kosova është në grup me Maqedoninë dhe Estoninë”, thuhet në njoftimin e FBK-së. /Telegrafi/