Site icon Telegrafi

FBK nga fundi i vitit do të pranohet në FIBA

Këto deklarata vijnë nga sekretari i K FBK-së, Nazmi Paqarada, gjatë një interviste dhënë të përditshmes “Zëri”.

I pyetur se kur do të pranohet FBK-ja në FIBA, ai u përgjigj kështu: “Ne jemi duke shpresuar që nga fundi i vitit apo maksimalisht nga mesi i vitit tjetër të jemi anëtar me të drejta të plota në FIBA”.

“Të gjitha këto rezultate janë pjesë e ndryshimit të strategjisë sonë. Më herët ne kemi kërkuar pranim të plotë që gjithmonë është refuzuar ndërsa tani kemi filluar nga dyert e vogla që hapen më lehtë dhe tashmë jemi gati për t’u futur në “Dhomën e Pritjes” ku janë edhe të gjithë tjerët”.

Ndërsa, sa i përket vendimit që është marrë për mosudhëtimin e tifozëve mysafirë nëpër palestrat kosovare ai tha: “Është shumë e thjeshtë. Ne e dimë që sporti është për tifozë dhe do të kishte vlerë dhe cilësi më të mirë me shikueshmëri më të madhe dhe në prani të dy tifozerive. Ne kemi biseduar me policinë për shtimin e sigurisë, mirëpo nuk na është siguruar një gjë e tillë, po ashtu kemi provuar të kontaktojmë me udhëheqësit e tifozerive për një marrëveshje që të mos ketë dhunë edhe kjo nuk ka ndodhur”.

“Andaj duke parë shtimin e ekseseve dhe pamundësinë e ndalimit nuk kemi dashur që të mos vijë deri te më e keqja dhe kemi marrë këtë vendim, i cili do të mund të hiqet në momentin që shohim se është arritur një vetëdijesim i përgjithshëm”, përfundoi Paqarada. /Telegrafi/

Exit mobile version