Telegrafi

FBK me vendim të ri

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), në mbledhjen e Bordit të saj të mbajtur të enjten, i ka obliguar klubet e BKT Superligës që t’i deponojnë në FBK kontratat me lojtarë vendas, të huaj dhe trajnerë. Shtëpia e basketbollit kosovar e mori këtë vendim që t’i sigurojë klubet dhe lojtarët dhe t’i përshtatet marrëveshjes me FIBA-n për transferet ndërkombëtare, të nënshkruar kohë më parë.

“Obligohen klubet e Superligës që deri më 13 shkurt t’i deponojnë në FBK kontratat me lojtarë vendas, të huaj dhe trajnerë. Mos deponimi i kontratave na bën të pafuqishëm për mbrojtjen e interesave të klubeve-lojtarëve në lidhje me moszbatimin e plotë të kontratave”.

“Në të kundërtën, klubet që nuk e respektojnë këtë vendim do të llogariten si klube amatore dhe lojtarët-trajnerët e tyre do ta kenë mundësinë e ndërrimit të klubeve në çdo kohë dhe moment që u ofrohet mundësia”, shkruan në vendimin e FBK-së.

Gjithashtu, Federata e Basketbollit të Kosovës ka shpallur konkurs për emërimin e të gjithë përzgjedhësve për të gjitha kategoritë në të dyja konkurrencat, duke filluar nga përfaqësuesja A, U-20, U-18, U-16 dhe U-14.

“Konkursi për kandidim do të jetë i hapur deri me datën 15 mars të këtij viti. Secili kandidat duhet ta pasqyrojë plan-programin e punës të cilin do ta vlerësojë Këshilli Profesional e më pas të bëhet emërimi nga Bordi i FBK-së”, thuhet në faqen zyrtare të FBK-së./Telegrafi/