Telegrafi

FBK konfirmon ndërprerjen e aktivitetit në fundjavë pas Qeveria e Kosovës vendosi masa të reja

Sot (e premte), Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë masa të reja pas rritjes së rasteve me coronavirus në vend.

Me masat e marra nga Qeveria, palestrat sportive nuk do të jenë të lejuara në fundjavë për shkak të rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19.

Andaj, Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar se ndeshjet e parapara me kalendarë të garave, nuk do të mbahen nga sot (e premte), të shtunën dhe të dielën.

Ky është njoftimi i plotë i FBK-së

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet anëtare të saj se bazuar në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 06.11.2020 prej sot, të shtunën e të dielën nuk do të zhvillohen ndeshjet e basketbollit të parapara me kalendarët e garave, më saktësisht nuk do të zhvillohen aktivitetet sportive në palestra”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës të premten e ka publikuar vendimin që ndalon veprimtarinë e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës nga sot në ora 20:00 e deri të hënën në ora 05:00”.

“Në pikën 2 të Vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës thuhet: “Pezullohen paragrafet 7,8,11,12,13,14,20 e vendimit të qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi”.

Pra, Vendimi i Qeverisë së Kosovës pezullon edhe pikën 12 të një vendimi të 1 nëntorit, që lejonte aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura. /Telegrafi/