Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për herë të parë është bërë pjesë e një projekti të Bashkimit Evropian, më saktësisht në kuadër të programit të Erasmus+.
Projekti i fituar është PROMISE (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave). Objektivi i përgjithshëm i projektit “PROMISE” është të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësive nëpërmjet hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi gjithëpërfshirës të ndërhyrjes.
Projekti “PROMISE” përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.
Partneriteti është një kombinim i një organizate akademike, përgjegjëse për projektimin dhe vlerësimin e mjeteve, 5 federata kombëtare të basketbollit (Franca, Bullgaria, Kosova, Irlanda, Portugalia) dhe 1 federatë rajonale e basketbollit, Federata e Basketbollit e Katalunisë, e cila edhe udhëheqëse e projektit.
Numri total i sportistëve të përfshirë në programin “Agjentët transformues” që përbën thelbin e “PROMISE” do të jetë 500.
Duhet theksuar se Federatës së Basketbollit të Kosovës iu është besuar edhe një nga pesë Paketat e Punës, e ajo është: Hartimi dhe Implementimi i Strategjisë së Komunikimit dhe Shpërndarjes. Përgjegjëse për projektin nga FBK është Edita Medunjanin, ndërsa në hartimin dhe implementimin e strategjisë së komunikimit dhe shpërndarjes përgjegjëse janë Rrezarta Kqiku dhe Enea Hajdari.
FBK së bashku me partnerët e projektit tashmë kanë filluar me implementimin e projektit, ku në janar në Barcelonë është zhvilluar takimi i parë i menaxherëve të projektit, kurse tashmë ka filluar puna me fokus grupe, të cilat do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zbatimin e projektit.
Projekti “PROMISE” ka filluar në Janar 2023 dhe do të përfundojë në Qershor 2025.