Federata e Basketbollit të Kosovës të mërkurën në zyre e saj ka mbajtur konferencë për media me rastin e nënshkrimit të kontratës për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, ndërmjet FBK-së dhe KB Rahoveci, që do të jetë organizator i këtij gare.
Kontrata është nënshkruar nga Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së dhe Bekim Hoxha, Kryetar, KB Rahoveci.
I pranishëm ishte edhe drejtori i klubit, Alban Rama.
Bordi i FBK-së kishte marr vendim që Final 8 i Kupës së Kosovës për vitin 2019 ta organizojë në Rahovec nga klubi i këtij qyteti.
KB Rahoveci dhe shpresojnë që ta bëjë përurimin e palestrës së re “Mizair Isma”, në të cilën kanë filluar punimet para dhjetë viteve.
Ka ende punë në këtë palestër, pasi mungojnë parket, ndriçimi dhe ulëset, por FBK dhe klubi janë të bindur që ato të të përmbyllen me sukses para fillimit të këtij eventi.
“Ne besojmë që palestra do të jetë gati në muajin shkurt me të gjitha elementet. Ne besojmë që palestra do t’i plotësojë kriteret e FIBA-as”.
“I ftojmë të gjithë akterët që janë të kyçur në punët e palestrës që të bëjnë punën e tyre, që ne të jemi gati për ta organizuar një spektakël i cili do të mbahet në mend”.
“E falënderoj FBK-në për mbështetjen, i falënderoj anëtarët e klubit KB Rahoveci për punën e madhe pasi e kemi filluar nga zero dhe ja ku jemi. I falënderojmë donatorët edhe ata potencial që do të jenë për Kupë”, ka thënë Bekim Hoxha, kryetari i klubit të Rahovecit.
Në anën tjetër edhe sekretarja e përgjithshme Elvira Dushku, e uroj klubin e Rahovecit për punën e bërë në këto vite, ndërsa u shpreh e bindur që gara do të mbahet në këtë qytet.
“KB Rahoveci ka treguar seriozitet gjatë këtyre viteve sa është pjesë e Superligës. Përveç kësaj, ai vazhdon të jetë njëri nga klubet më të organizuara në Kosovë, derisa kjo u kurorëzua me marrjen përsipër të Final 8”.
“Tani shpresojmë që organet komunale dhe Ministria ta thonë fjalën e vet dhe gjithçka të shkoi si është më së miri”.
Final 8 i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 27 shkurt deri më 3 mars dhe është hera e parë që zhvillohet në këtë format me tetë skuadra.
Më 27 dhe 28 shkurt do të luhen ndeshjet çerekfinale, si dhe gjysmëfinalet në konkurrencën e femrave, kurse më 1 mars ato gjysmëfinale te meshkujt, derisa finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen më 3 mars.
Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat. /Telegrafi/