FBI-ja ka publikuar një seri dokumentesh në lidhje me hetimin e saj mbi përdorimin e postës private elektronike të Hillary Clinton, gjatë kohës që ajo ishte sekretare e Shtetit.
58 faqet përfshijnë intervistat për nominimin presidencial të Clinton nga demokratët dhe detajet për serverin e saj privat në rezidencën e saj në Nju Jork.
Në korrik FBI-ja i dha fund një hetimi të gjatë 1-vjeçar për të verifikuar nëse ish-shefja e diplomacisë amerikane kishte shkelur ligjin duke përdorur serverin privat.
Drejtori i FBI-së, James Comey nuk rekomandoi ngritjen e akuzave penale.
Ai doli në përfundimin se, edhe pse zonja Clinton dhe stafi i saj ishin treguar “jashtëzakonisht të pakujdesshëm” me informacionet sekrete, nuk kishte prova që ajo të kishte shpërndarë me vetëdije material të rëndësishëm.
Sipas tij, përcjell TCH, Clinton nuk kishte njohuritë e duhura të “sofistikuara” për të menaxhuar informacionet e klasifikuara. Tani, dokumentat e reja të publikuara ofrojnë detaje të shumta që mbështesin të dy pohimet.
Gjatë hetimit Clinton tha se nuk kishte marrë të dhëna të sakta për menaxhimin e materialeve të klasifikuara dhe se nuk u kishte kushtuar vëmendje niveleve të klasifikimit, duke i trajtuar ato të gjitha njësoj.
Gjatë mbajtjes së detyrës së sekretares së Shtetit, ajo ka përdorur 13 pajisje elektronike të lëvizshme, disa prej të cilave shkatërruar ndërsa të tjerë nuk mund të lokalizohen.