Telegrafi

FBI-ja po kontrollon shtëpinë tjetër të Bidenit

FBI po kryen kontrolle në shtëpinë e presidentit amerikan, Joe Biden në Rehoboth Beach, Delaware, në kërkim të materialeve të klasifikuara.

“Sot, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të presidentit, Departamenti i Drejtësisë po kryen një kontroll të planifikuar në shtëpinë e tij në Rehoboth, Delaware”, pohoi avokati personal i Bidenit, Bob Bauer.

“Sipas procedurave standarde të DD-së, në interes të sigurisë dhe integritetit operacional, ne ramë dakord të bashkëpunonim”, tha Bauer.

Avokatët personalë të Bidenit kontrolluan më parë shtëpinë dhe nuk gjetën asnjë dokument të klasifikuar, raporton cnn.

Kjo është hera e tretë që po kontrollohen pronat e 80-vjeçarit, ku në dy të parat kishin gjetur materiale të klasifikuara.

Lexo po ashtu “Zotëri presidenti a i keni keqpërdorur dokumentet e klasifikuara” – momenti kur Biden refuzon t’i përgjigjet pyetjes së gazetares

Theksojmë se ekipi i Bidenit ka pranuar të bashkëpunojnë me Departamentin e Drejtësisë ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Ndryshe, muaj më parë kishte gjetur materiale të shumta të klasifikuar në shtëpinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili nuk ka pranuar të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë. /Telegrafi/