Site icon Telegrafi

FBI heton telefonatat që u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi

FBI ka nisur një hetim pas raporteve për thirrje të automatizuara telefonike, që u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, në ditën e zgjedhjeve në SHBA.

Një zyrtar i lartë i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike i përshkroi thirrjet, të cilat janë raportuar në një numër shtetesh, si “kërcënim për votuesit” dhe “taktikë për shtypjen” e tyre.

Megjithatë, ai tha se incidente të ngjashme ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara.

Në Nju Jork, prokurorja e përgjithshme, Letitia James, tha se zyra e saj është duke hetuar “në mënyrë aktive” raportet për telefonatat që u bëhen banorëve.

“Votimi është një gur themeli i demokracinë sonë”, tha James.

“Përpjekjet për t’i penguar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, janë zhgënjyese, shqetësuese dhe të gabuara. Për më tepër, janë të paligjshme dhe nuk do të tolerohen”, tha ajo.

Dana Nessel, prokurore e përgjithshme e Miçigenit, tha se ka pranuar raporte për telefonata që u bëhen banorëve në qytetin e Flintit, me kërkesën për të votuar të mërkurën, për shkak të radhëve të gjata.

“Padyshim që ky është mashtrim dhe përpjekje për të shtypur votën”, tha Nessel.

Qytetarët amerikanë janë duke votuar sot në zgjedhjet presidenciale.

Në garë për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë presidenti aktual, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden. /rel/

Exit mobile version