Site icon Telegrafi

FBI: Hakerët që përkrahen nga qeveria kineze, po tentojnë të vjedhin punën e hulumtuesve amerikanë sa i përket zhvillimit të vaksinës kundër COVID-19

FBI-ja dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, kanë paralajmëruar se hakerët që përkrahen nga qeveria kineze, mund të tentojnë të vjedhin punën e hulumtuesve amerikanë që janë duke zhvilluar vaksinën dhe ilaçet kundër COVID-19.

Siç raporton AP, këto dy agjenci të sigurisë kanë paralajmëruar për rrezikun potencial. Ata një paralajmërim të ngjashëm e kishin dhënë në fillim të këtij muaji, transmeton Telegrafi.

Në një komunikatë të përbashkët thuhet se përpjekjet e Kinës paraqesin “kërcënim serioz” për sektorin e shëndetësisë, farmaceutikës dhe atë hulumtues”.

“Tentimet që Kina t’i vë në shënjestër këta sektorë paraqesin kërcënim për vendin tonë në kohën e pandemisë së COVID-19”, thuhet ndër tjera në kumtesë.

Hakerët, hulumtuesit por edhe studentët, sipas administratës amerikane, janë më aktiv në vjedhjen e informacioneve brenda instituteve universitare dhe laboratorëve publikë, raporton France Press.

FBI dhe Agjencia për Siguri Kibernetike kanë njoftuar se do të publikojnë detaje teknike të këtyre kërcënimeve, duke kërkuar nga organizatat të raportojnë për çfarëdo aktiviteti të dyshimtë.

Qeveria amerikane prej kohësh ankohet që Kina po shfrytëzon hakimin të vjedh të dhëna ekonomike dhe akademike.

Ky paralajmërim vjen në kohën kur janë rritur tensionet midis qeverisë amerikane dhe asaj kineze – krejt kjo për shkak të gjenezës së pandemisë dhe përgjigjes që i kishte dhënë në fillim Kina. /Telegrafi/

 

Exit mobile version