Agjentët e FBI-së sot kontrolluan për pesë orë shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence në Indiana, ku kanë gjetur një dokument të klasifikuar.
Përfaqësuesi i Pence, Devin O’Malley e përshkroi kërkimin si “konsensual, të plotë dhe të pakufizuar” para se të konfirmonte se hetuesit “morën një dokument që kishte shenjën e klasifikuar dhe gjashtë fletë të tjera pa shenja të tilla”.
“Zëvendëspresidenti ka udhëzuar ekipin ligjor që të vazhdojë bashkëpunimin me autoritetet përkatëse dhe të jenë plotësisht transparent rreth kësaj çështje”, shtoi O’Malley, raporton nypost.
Vetë Pence nuk ishte i pranishëm gjatë kontrollimit të shtëpisë pasi kishte shkuar t’i takonte djalin dhe vajzën e tij, ku secili është bërë prindër gjatë javës së kaluar.
“Të dhënat shtesë duket se janë një numër i vogël dokumentesh që mbajnë shenja të klasifikuara, të cilat u vendosën pa dashje dhe u transportuan në shtëpinë personale të ish-zëvendëspresidentit në fund të mandatit gjatë presidencës së Donald Trumpt”, tha zyrtarja e arkivave, Kate McClure.
Theksojmë se Pence është në mesin e njerëzve që thuhet se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Ndryshe, zyra federale e investigimeve javë më parë dokumente të klasifikuara ka gjetur edhe në shtëpinë e presidentit aktual amerikan, Joe Biden si dhe paraardhësit të tij, Donald Trump. /Telegrafi/