Problemet e dokumenteve të udhëtimit vazhdojnë për futbollistët shqiptar. Rasti i fundit, vjen nga Maqedonia ku sulmuesi ferizajas i Shkëndisë së Tetovës, Astrit Fazliu është përballur me një situatë të sikletshme.
Fazliu nuk ka mundur të udhëtojë me ekipin e kuqezinjve tetovar në Moldavi për në ndeshjen e kthimit të fazës eliminatore të Europa League, me ekipin e Chisinau. Ai është ndarë nga shokët për shkak se pasaportën e shtetit të Kosovës nuk e njeh shteti i Moldavisë dhe për këtë arsye nuk ka mundur të udhëtojë me ekipin.
“Shumë keq që nuk munda të udhëtoje me ekipin në Moldavi shkak i pasaportës që nuk njihet nga shteti moldav. Suksese ekipit, shpresoj të kalojmë tutje”, ka shkruar Fazliu në profilin e tij të rrjetit social në internet, Facebook.
Në këtë nivel të garave, vitin e kaluar ka pasur probleme edhe Kristian Nushi i cili nuk arriti të ndihmojë ekipin e tij, St Gallen në ndeshjen ndërkombëtare me Rubin Kazanin. /Sporti1/Telegrafi/