“Aktualisht jam pjesë e Ferizajt, por gjasat janë të mëdha që të rikthehem te Prishtina. Kam biseduar me trajnerin Afrim Tovërlani, i cili ka kërkuar nga unë sërish të rikthehem te skuadra e Prishtinës. Pas përfundimit të sezonit vjeshtor do të ulemi e të bisedojmë edhe një herë”, ka thënë Astrit Fazliu për gazetën Epoka e Re.
Duket se gjithçka filloi pas barazimit të Prishtinës me skuadrën e Dritës (0-0), ku trajneri Afrim Tovërlani bëri me dije se skuadrës kampione i mungon një sulmues që e dërgon topin në rrjetë.
Gjasat për të vazhduar Fazliu të jetë pjesë e skuadrës së Ferizajt mbesin shumë të vogla, për faktin se sulmuesi ka ofertë edhe nga Superliga e Shqipërisë. “Kam oferta edhe nga Shqipëria dhe ende skam vendosur përfundimisht, por gjasat më të mëdha i ka Prishtina”, ka shtuar ai.
Astrit Fazliu me skuadrën e Ferizajt në 16 javët e para në Raiffeisen Superligën e Kosovës në Futboll ka pasur rezultate të mira. Ai është golashënuesi më i mirë me nëntë gola dhe vazhdon të mbetet një nga favoritët për t’u shpallur golashënuesi më i mirë në këtë kampionat. /Telegrafi/