Kjo tashmë është bërë përditshmëri për ish sulmuesin e Prishtinës, i cili ka kaluar një stinor të suksesshëm edhe në Ferizaj. “ Është e vërtetë se ditëve të fundit është shkruar shumë për kalimin tim në ndonjë skuadër tjetër, por unë askujt nuk i kam thënë se kam nënshkruar diku. Tani sipas gazetave po del se kalimi në Shkëndijën e Tetovës është punë e kryer, ndonëse nuk ka asgjë konkrete. Në fakt, unë kam pasur një bisedë me drejtuesit e kësaj skuadre, por nuk kemi arritur asgjë konkrete dhe pres që të hënën (sot) të vazhdojmë me bisedime”, u shpreh fillimisht Fazliu për KosovaPress.
“Sa i përket skuadrave tjera, unë më herët kam biseduar me Afrim Tovërlanin, por çdo gjë ka mbetur aty. Me Ferizajn kam kontratë për një vit, por nëse gjej skuadër jashtë Kosovës mund ta kalojë pas 6 muajve. Kjo do të thotë se në skuadrat kosovare nuk mund të kaloi pa pëlqimin e klubit. Për këtë arsye Shkëndija mbetet opsioni i parë për mua, por edhe ndonjë skuadër e Shqipërisë. Nuk ka asgjë nga shkuarja ime në Belgjikë apo në ndonjë shtet tjetër të Evropës”, tha Astrit Fazliu, i cili edhe mbetjen në Ferizaj e sheh të mundshme.
“Po, ka gjasa reale që të mbetet në këtë skuadër të paktën edhe në stinorin pranveror. Kemi skuadër të mirë dhe këtë e kemi dëshmuar me paraqitjet në stinorin vjeshtor. Mendoj se me disa përforcime mund të luftojmë edhe për titullin e kampionit”, thotë Fazliu. /KP/Telegrafi/