Përfaqësuesja e Kosovës sot paradite e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit për në Belfast, për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut, në kuadër të Ligës së Kombeve, që zhvillohet, të shtunën, në orën 18:00.
Seanca e sotme stërvitore nuk ka qenë aq e ngarkuar, ngase përzgjedhësi Giresse ka punuar kryesisht në aspektin taktik dhe në rreshtimin e ekipit për ndeshjen kundër irlandezo-veriorëve.
Qendërmbrojtësi dardan, Betim Fazliji, pas stërvitjes ka dhënë opinionin e tij lidhur me përgatitjet e bëra dhe për pritjet e tij rreth përballjes me Irlandën e Veriut.
“Atmosfera gjithmonë është e mirë në kombëtare. Është krenari të luash për kombin tënd. Jashtë stërvitjes kemi atmosferë shumë të mirë dhe harmoni ndërmjet veti, derisa në stërvitje punojmë të disiplinuar dhe e japim maksimumin”.
“Besoj se jemi përgatitur mirë, pasi kushtet kanë qenë shumë të mira. Duam të shkojmë në Belfast me synimin për të dhënë maksimumin”, tha Fazliji.
Tutje anëtari i St Paulit deklaroi se janë të motivuar për t’u rikthyer nga Irlanda e Veriut me fitore, edhe pse vlerëson lartë kundërshtarin.
“Secili prej nesh është i motivuar për fitore në Irlandën e Veriut. Kundërshtari është i fortë. Është një ekip me fizik të lartë dhe me tempo të shpejtë, pasi luajnë futboll të stilit anglez, por ne jemi përgatitur mirë për këtë lojë dhe i kemi bërë zgjidhjet e duhura se s’i t’i kundërvihemi”.
“Ne shkojmë atje me vetëbesim të lartë dhe duam t’i marrim tri pikë tjera ndaj tyre, ashtu siç i kemi marrë para tifozëve tanë“, ka theksuar Fazliji. /Telegrafi/