Ish i burgosuri politik, Fazli Abdullahu ka rrëfyer momentin e arrestimit më 1975 nën akuzat për përfshirje në aktivitete opozitare dhe kundërshtuese ndaj politikës dhe qeverisë së asaj kohe.
Abdullahu thotë se u arrestua nga persona të cilët i ka njohur edhe më herët, si nga UDB-ashi, Naip Hoxha për të cilin tha se e kishte profesor të biologjisë dhe nga UDB-ashi, Abdullah Debaja, të cilët e dërguan në Gjilan ku u torturua për katër ditë rresht.
“Pasi e mbarova punën, një të premte, shkova për Gjilan, te stacioni i autobusëve kishin qëllu këta punëtorët e UDB-së, nja 3 a 4 që më kanë njohur mua edhe më përpara, edhe unë i kam njohur me emër e mbiemër. I kam njohur se njërin e kam pas edhe profesor të Biologjisë, Naip Hoxha, i cili pastaj ka bërë vetëvrasje. Ka qenë edhe një Abdullah Devaja, i cili edhe njëherë përpara më kishte arrestuar me njëfarë Ismailin [mbiemri nuk i kujtohet, i cili konsiderohej si turk] në korrik të vitit 1975. Abdullah Devaja ka qenë inspektor i Sigurimit Shtetëror”, ka rrëfyer Abdullahu.
Ai ka thënë se ishte torturuar për katër ditë nga dy serbë të UDB-së teksa Abdullah Devaja ka qëndruar prezent.
“Abdullahu s’më ka torturu, a këta dy serbët më kanë torturu shumë, më kanë torturu pa masë”, ka vijuar ai.
Pas atyre katër ditësh të torturës, Abdullahu thotë se ishte liruar.
Me 7 nëntor të vitit 1975, Abdullahu ishte dërguar në stacionin policor në Gjilan ku ishte përgatitur një dosje kundër tij.
Nga aty ai ishte transferuar në Bujanoc, ku nga aty sërish ishte transferuar për në Vranjë e pastaj në burgun e Leskovcit.
Në burgun e Leskovcit ai ka thënë se është mbajtur rreth dy muaj e gjysmë nën hetime.
Ai ka rrëfyer se nga Vranja për në Leskovc ishte përcjellë nga UDB-ashi, Bafti Jakupi i shoqëruar edhe nga një serb, Pajo Veselinoviq.
“Këta [Bafti Jakupi dhe Veselinoviq] për dy muaj e gjysmë kanë zhvilluar hetime ndaj meje dhe torturat nuk mundem as t’i përshkruaj çfarë kanë qenë, tortura të mëdha”.
Abdullahu ka thënë tutje se nga tortura që i është bërë ka qenë e vështirë që të ngrihej në këmbë e të qëndronte.
Madje, Abdullahu thotë se nga torturat ka urinuar gjak të zi.
“E kanë pas një lloj shufre të metalit me një spirale, një lloj federi me dorezë, ka qenë i mbështjellë me njëfarë lëkure të butë, ka qenë shumë i rëndë. Shumicën e torturave mi kanë bërë këmbëve dhe duarve pa ndërprerë. Prej torturave kam urinuar gjak, po jo gjak të kuq, por gjak të zi sikur katran, i trashë”, ka vijuar ai./TV Dukagjini/