Telegrafi

Faza finale e dialogut me Serbinë, mblidhen krerët e vendit dhe ministri Gashi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ministrin Dardan Gashi, kanë zhvilluar një takim të përbashkët sot në mëngjes.

Mbajtjen e këtij takimi e ka konfirmuar për Telegrafin vetë ministri Dardan Gashi, duke thënë se një takim i ngjashëm do të zhvillohet edhe sot pasdite.

Ai ka treguar se arsyeja e këtij takimi ka qenë faza finale e dialogut me Serbinë. Gashi ka treguar se takime të njëjta do të ketë edhe ditëve në vijim.

“Po kemi mbajtur takim, arsyeja ka qenë konsulta rreth dialogut. Do të kemi edhe një takim sot dhe ditëve në vijim”, ka thënë Gashi.

Gjatë ditës së sotme në media është raportuar se në takim ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri tjetër i Kosovës, Fatmir Limaj, por që për një gjë të tillë nuk është konfirmuar ende. /Telegrafi/