Site icon Telegrafi

Favorizohet formimi i qeverisë me bazë të gjerë?

Analiza e shkurtër shqyrton faktorët e mundshëm që po e shtyjnë Kosovën drejt një krize institucionale që mund të rrjedh nga kontestimi i rezultateve të zgjedhjeve, për shkak të thirrjeve publike të partive për të mos i njohur ato nëse ka manipulim të procesit.

Më tej në këtë analizë thuhet se përballë nevojës për krijimin e qeverisë dhe presionit për fillimin e bisedimeve me Serbinë, Kosova lehtë mund të rrëshqasë drejt krizës pas-zgjedhore duke përmbushur kështu vullnetin e kundërshtarëve të tij se “shteti më i ri është i destinuar të dështojë dhe si i tillë është real në letër dhe fiktiv në praktikë”

“…Nëse zgjedhjet nuk organizohen drejt dhe në mënyrë demokratike, ka gjasa të mëdha të ndodhë një kontestim i “butë“ i rezultateve dhe zgjedhjeve…12 dhjetori 2010 shënon testin demokratik të shoqërisë në radhë të parë dhe lidershipit për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Brenda muajit, shteti dhe politika do të transformohen varësisht prej sjelljeve të partive politike gjatë dhe pas zgjedhjeve. Shteti i ri mund të certifikohet në sytë e botës për demonstrim pjekurie, apo të gdhijë gjatë ditëve në vazhdim në telashe, pa institucione të reja dhe parti politike që kontestojnë rezultatin zgjedhor”, thuhet në analizë.

Çështja e dytë e analizës është roli i ndërkombëtarëve në këtë proces, i cili do të angazhohet maksimalisht ta shtyjë përpara krijimin e një qeverie me bazë të gjerë për ‘hirë’ të bisedimeve, por në dëm të demokracisë së vendit.

“‘Ndërkombëtarët e stabilitetit’ do të veprojnë kësisoj sikurse përgjatë viteve të shkuara kur favorizuan parti të caktuara për të ardhur në pushtet. Nevoja e privatizimit të disa prej gjiganteve ekonomikë të Kosovës dhe bisedimet me Serbinë, do ta diktojnë edhe formimin e qeverisë së ardhshme”, thuhet në komunikatë.

Pjesa e tretë për shoqërinë civile në raport me politikën trajton marrëdhëniet aspak miqësore përgjatë viteve në Kosovë, dhe ndikimin që kanë sjellë pozitiv e negativ në politikë prurjet e reja nga shoqëria civile.

Rekomandimet e analizës fokusohen në shmangien e krizës së mundshme institucionale për shkak të kontestimit të rezultateve, krijimit të besimit të ndërsjellë të partive pa pasur nevojë të mbrohet vota nëse ajo nuk manipulohet. Rekomandime të tjera janë rritja e numrit të madh të vëzhguesve, ngritja e një mekanizmi gjyqësor për të ndëshkuar keqbërësit dhe certifikimin e rezultateve zgjedhore nga një institucion ndërkombëtar. /Telegrafi/

Exit mobile version